Një gjykatë në SHBA dënoi një grua amerikane me 20 vjet burg të martën për formimin dhe udhëheqjen e një batalioni militant të DEASH-it e përbërë kryesisht vetëm me femra, e cila luftoi në emër të grupit terrorist në Siri, njoftoi Departamenti i Drejtësisë.
Allison Fluke-Ekren, 42-vjeçe, u shpall fajtore në qershor dhe pranoi se kishte komplotuar për të ofruar mbështetje materiale apo resurse për një organizatë të huaj terroriste, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas Departamentit, ajo pranoi në mënyrë specifike formimin e batalionit Khatiba Nusaybah, në të cilën stërviti më shumë se 100 gra dhe vajza, madje disa në moshën 10-vjeçare, që të luftojnë në emër të DEASH-it për të mbrojtur ish-kryeqytetin Rakka në Siri.
Fluke-Ekren, një mësuese e shkolluar, e cila u konvertua në Islam nga shteti i Kansasit, është gruaja e parë amerikane që ndiqet penalisht për ushtrimin e rolit udhëheqës në një grup terrorist ndërkombëtar.
Dokumentet e gjykatës thonë se Fluke-Ekren udhëtoi në Egjipt me burrin e saj të dytë, Volkan Ekren, një anëtar tashmë i vdekur i grupit terrorist Ansar al-Sharia, në vitin 2008 përpara se të lëvizte në Libi në 2011. Në vitin 2012, ajo udhëtoi nga Libia në Türkiye dhe më pas në Siri.
Burri i saj u bë udhëheqësi i DEASH-it në njësitin e snajperistëve në Siri në vitin 2014 dhe përafërsisht aso kohe, ajo kishte folur për dëshirën e saj për të organizuar një sulm në SHBA, tha një dëshmitar në gjykatë. Në vitin 2016, ajo u caktua për të themeluar dhe udhëhequr “qendrën e grave” në Rakka, ku do të trajnonte gratë dhe vajzat për përdorimin e armëve AK-47, granatave dhe rripave me bomba vetëvrasëse.
Batalioni Khatiba Nusaybah operacionet zyrtarisht i filloi në shkurt të vitit 2017 pasi zonat nën kontrollin e DEASH-it filluan të bien në Siri. Rakka ra në tetor të po atij viti.
Fluke-Ekren u përpoq të ikte, duke i porositur të tjerët që të informojnë familjen e saj se ajo ka vdekur në Siri me qëllim që t’i shmangej arrestimit, sipas marrëveshjes së saj për pranimin e fajësisë. Ajo u soll në SHBA në janar pasi u mbajt në paraburgim në Siri./FolDrejt/