Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët u bëri thirrje sot qeverive që të mos dërgojnë civilë në Sudan, ku palët ndërluftuese vazhdojnë të luftojnë ashpër duke shkelur armëpushimin.
“Ne po këshillojmë qeveritë që të mos i kthejnë njerëzit në Sudan për shkak të konfliktit që po ndodh atje”, tha Elizabeth Tan, drejtoresha e UNHCR-së për mbrojtjen ndërkombëtare, në një konferencë shtypi në Gjenevë, raporton Reuters.
“Kjo vlen për shtetasit sudanezë, shtetasit e huaj, duke përfshirë refugjatët e zhvendosur në Sudan, personat pa shtetësi, si dhe ata që nuk kanë pasaportë ose formë tjetër identifikimi,” tha Tan, transmeton Fol Drejt.