Një i ri palestinez humbi jetën në një konflikt të armatosur në Kampin e Refugjatëve Palestinezë Balata, që ndodhet në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e bastisën ushtarët izraelitë, shkruan Anadolu Agency, transmeton Fol Drejt.
Gazetari palestinez, banor i kampit, Emin Abu Virde, për AA tha se forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Balata në qytetin e Nablusit.
Abu Virde theksoi se kryengritësit palestinezë iu përgjigjën me armë ushtarëve izraelitë që bastisën kampin dhe se i riu palestinez, Bakir Hashash, u plagos rëndë në përleshjen që ndodhi.
Duke konfirmuar se Hashash nuk mundi të shpëtohej në Spitalin Shtetëror Rafediya në Nablus, ku u dërgua, pavarësisht ndërhyrjes, Abu Virde informoi se forcat izraelite ndaluan edhe një palestinez teksa po largoheshin nga kampi.
Në rrjetet sociale u pasqyruan imazhet e nënës së Hashashit duke vajtuar për djalin e saj, ndërsa ende nuk është bërë asnjë deklaratë nga autoritetet palestineze apo izraelite në lidhje me incidentin.
Herë pas here, ndodhin incidente ose përleshje të armatosura kur ushtarët izraelitë bastisin pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor për të arrestuar palestinezët.