Nëna e mbrojtësit anglez Harry Maguire ka shkruar një letër të hapur për publikun dhe mediat angleze.
Do të ishte e vështirë të gjeje një futbollist në Angli që ka gëlltitur më shumë ofendime dhe ka marrë më shumë tallje vitet e fundit sesa mbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, ku çdo gabim duket se ka dy herë më shumë peshë.
Javën e kaluar, Maguire është tallur edhe një herë për autogolin disa minuta pas hyrjes në ndeshjen miqësore kundër Skocisë, dhe ofendimet e tifozëve kanë prekur edhe nënën e tij Zoe, e cila shkroi një letër të hapur në Instagram ku ajo trokiti në ndërgjegjen e të gjithë atyre që ofenduan pa mëshirë djalin e saj.
“Si nënë, jam e indinjuar me komentet negative dhe ofenduese që merr djali im nga fansat, ekspertët dhe mediat. Është e turpshme dhe krejtësisht e papranueshme për këdo, e lëre më për dikë që luan për klubin dhe vendin e tij.”
“Unë isha në tribuna, si gjithmonë. E kuptoj që në futboll ka ulje dhe ngritje, por ajo që po kalon Harry shkon përtej futbollit”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
“Nuk është e lehtë të shikosh se çfarë po kalon ai. Do të ndihesha shumë keq nëse ndonjë prind tjetër do të duhej të përjetonte diçka të tillë, veçanërisht një nga futbollistët më të rinj që po bëjnë rrugën e tyre në skenë këto ditë.”
“Harry ka një zemër të madhe dhe unë jam krenare që ai është mjaft i fortë.”
“Unë nuk do t’i dëshiroja askujt një fyerje të tillë,” shkroi Zoe Maguire, transmeton Fol Drejt.