Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Sopaj nga Malisheva, e cila humbi dy anëtarë në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
Në telegram, kryeministri ka shprehur ngushëllimet familjes, duke bashkëndjerë me ta për humbjen tragjike.
“Me trishtim e pikëllim të thellë e morëm lajmin për humbjen e jetëve të familjarëve tuaj. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Fëmijëve të lënduar u dëshiroj shërim të shpejtë dhe uroj që të tejkalojnë sa më lehtë pasojat e aksidentit. Republika e Kosovës bashkëndjen me familjen tuaj. Shpresoj të mund të gjeni forcën për të përballuar dhimbjen tuaj, që është dhimbje edhe e mbarë popullit. Me mendje e zemër jemi pranë jush, në këto ditë pikëllimi e zie”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Gjatë ditës së djeshme në magjistralen Prishtinë-Podujevë si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe një autobusi, gjetën vdekjen dy persona, burrë e grua dhe janë lënduar rëndë dy fëmijë./21Media