Vëllai i lojtarit të kombëtares franceze dhe lojtarit të Juventusit, Paul Pogba, Mathias Pogba, u lirua nga burgu ku ndodhej që nga 18 shtatori për përfshirjen e tij të dyshuar në shantazhimin e vëllait të tij më të vogël.
Mathias Pogba, si dhe tre të dyshuar të tjerë, u arrestuan në shtator me dyshimin se kishin zhvatur Paul Pogba, i cili aktualisht luan për Juventusin. Matias doli nga burgu të premten në mëngjes, konfirmoi avokati i tij.
Matias është ndaluar të kontaktojë me të dyshuarit për shantazh dhe zhvatje të Paul Pogba. Atij i ndalohet edhe kontakti me nënën dhe vëllanë. Ai nuk lejohet të largohet nga vendi apo të postojë asgjë në rrjetet sociale.
Ai akuzohet për zhvatje në grup të organizuar dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Për këtë rast dyshohen edhe katër persona të tjerë. Ata dyshohet se janë të afërm të vëllezërve Pogba, të moshës 27-36 vjeç, të cilët akuzohen për zhvatje me armë, rrëmbim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Gjithçka ndodhi në mars të këtij viti në Paris, kur katër burra morën me armë Paul Pogba në një apartament në periferi të Parisit, ku Pogba u rrit. Atje, anëtarët e bandës e akuzuan Pogban se nuk i ka ndihmuar financiarisht që kur u bë lojtar profesionist. Pogba thuhet se u tha hetuesve se banda e kërcënoi atë me armë dhe kërkoi 15 milionë euro për të mos publikuar videon komprometuese dhe sepse ata e kishin “mbrojtur në mënyrë diskrete” atë gjatë dhjetë viteve të fundit.
Vëllai i Pogba kaloi 89 ditë në paraburgim, ndërsa Paul Pogba nuk luajti në Botërorin e Katarit për shkak të lëndimit.