Ndërsa vaksinimi në masë ka filluar të sigurojë imunitet kundër COVID-19 në botë, shumë vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta që nuk e kanë fuqinë ekonomike të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të parablerjes me kompanitë që zhvillojnë vaksinat, mund të mos kenë qasje në vaksina deri në pranverë.
Në kuadër të qëllimeve të Programit Global të Qasjes në Vaksina COVID-19 (COVAX), i cili u iniciua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të siguruar që vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim të mund të kenë qasje në vaksina në mënyrë të barabartë, parashihet që shpërndarja e 2 miliardë dozave të vaksinave të planifikuara të dërgohen në 92 vende nevojtare në vitin 2021 të fillojë në fund të marsit.
Deri më tani, SHBA-ja, Kanadaja, Brazili, Meksika, vendet e Bashkimit Evropian (BE), Britania, Rusia, India, Pakistani, Uzbekistani, Indonezia, Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Egjipti, Nepali, vendet e Bllokut të Lindjes së Mesme, vendet e Bllokut të Amerikës Latine, vendet e Bashkimit Afrikan dhe Turqia kanë bërë marrëveshje paraprake për të blerë miliona doza vaksinash me prodhuesit e vaksinave nga vende të ndryshme.
Pfizer synon të prodhojë 1,3 miliardë doza vaksine deri në fund të vitit 2021. Pjesa më e madhe e kësaj sasie do të alokohet për dozat e premtuara sipas marrëveshjeve dypalëshe.
Vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit me kompaninë farmaceutike AstraZeneca dhe ajo e përgatitur nga kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive janë rezervuar gjithashtu nga shumë vende përmes marrëveshjeve paraprake.
Nga vaksina Oxford-AstraZeneca, India ka porositur 1 miliard doza, BE-ja 400 milionë doza, SHBA-ja 300 milionë, Kina 200 milionë, Blloku i Amerikës Latine 150 milionë, Japonia 120 milionë doza, Britania 100 milionë, Brazili 100 milionë, Indonezia 100 milionë, Meksika 77 milionë, Australia 34 milionë doza, Kanadaja 20 milionë dhe Koreja e Jugut po ashtu 20 milionë doza.
AstraZeneca synon të prodhojë 2 miliardë doza vaksine në vitin 2021, ndërsa vetëm 170 milionë doza të kësaj sasie do të rezervohen për programin COVAX.
Përveç këtyre, para-porosi janë bërë edhe për vaksinat Sputnik V të Rusisë, vaksinat e kompanive kineze Sinopharm dhe Sinovac, dhe disa vaksina që aktualisht janë në provat klinike të fazës 3.
OBSH ka paralajmëruar se vendet afrikane do të pësojnë më shumë nga shpërndarja e pabarabartë e vaksinave.
Në deklaratë thuhej se në kuadër të programit COVAX, 600 milionë doza të vaksinave janë planifikuar t’i sigurohen kontinentit afrikan në vitin 2021 dhe se vaksinat e para planifikohet të arrijnë në vendet afrikane në fund të marsit dhe shpërndarja masive të bëhet në qershor.
Parashikohet që arritja e vaksinave të para në vendet që kërkojnë doza nën programin COVAX mund të vonojë deri në pranverë për shkak të ndalimit të eksportit.
Në fazën e parë të projektit, synohet të vaksinohet 20 përqindëshi i rrezikuar i popullsive të 190 vendeve pjesëmarrëse.
Programi parashikon që përparësi t’i jepet vaksinimit të 20 për qind të popullsive, apo grupeve me rrezik të lartë, duke përfshirë profesionistët e kujdesit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.