Mesfushori italian i Paris SG, Marco Verratti, ka mbërritur në Doha, Katar, ku është planifikuar t’i nënshtrohet testeve mjekësore të martën përpara se të nënshkruajë me Al-Arabi, sipas AFP.
Mesfushori shumëvjeçar i PSG-së, 30-vjeçari Verratti, këtë verë është futur në listën e të padëshiruarve nga drejtuesit e klubit parizian dhe nuk ka llogaritur tek ai në garën në Ligën e Kampionëve.
Sipas pamjeve të publikuara nga mediat vendase, lojtari i kombëtares italiane me 55 paraqitje për Azzurrit ka mbërritur në Doha mbrëmjen e së hënës.
“Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të fillojë këtë sezon. Shpresoj të kemi një sezon të mrekullueshëm… Mezi pres të zbuloj stadiumin, tifozët, shokët e skuadrës, trajnerët”, komentoi lojtari dukshëm i buzëqeshur dhe i relaksuar pas mbërritjes në aeroport.
Marco Verratti është dashur t’i nënshtrohej një ekzaminimi mjekësor gjatë ditës së martë përpara se të nënshkruante me Al-Arabin, një nga klubet në kryeqytetin e Katarit, raporton një korrespondent i AFP.
Ende nuk dihen kushtet e kontratës, por mediat raportojnë se bëhet fjalë për një transferim me vlerë rreth 45 milionë euro.
PSG ende nuk ka njoftuar largimin e italianit, i cili iu bashkua parisienëve në vitin 2012, vetëm një vit pasi klubi francez u mor nga Qatar Sports Investments (QSI), transmeton Fol Drejt.