Sipas një gazete amerikane, administrata e presidentit Joe Biden ka rifilluar në heshtje negociatat me Iranin për të siguruar lirimin e të burgosurve amerikanë dhe për të frenuar programin bërthamor të Teheranit, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Gazeta “Wall Street Journal” raportoi se SHBA-ja ka miratuar zhbllokimin e 2,5 miliardë eurove të mbajtura nga Iraku për importet e energjisë elektrike dhe gazit iranian, duke cituar persona të afërt me diskutimet.
Fondet ishin ngrirë më parë për shkak të sanksioneve ekonomike të vendosura nga Washingtoni.
Gazeta tha se zyrtarët e SHBA-së e kanë karakterizuar transferimin si një procedurë të zakonshme dhe jorelevante me diskutimet e vazhdueshme.
Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, konfirmoi transferimin.
“Ne miratuam një transaksion, në përputhje me transaksionet e mëparshme që janë miratuar, për të lejuar Iranin të aksesojë fondet e mbajtura në llogaritë në Irak për transaksione humanitare dhe të tjera jo të sanksionueshme”, tha Miller.
Miller vuri në dukje se Washingtoni ka pasur gjithmonë aftësinë për t’i dhënë mesazhe Teheranit “kur është në interesin” e SHBA-së.
Ai tha gjithashtu se Biden është i përkushtuar për të siguruar që Irani të mos sigurojë kurrë armë bërthamore.
“Dhe ne besojmë se diplomacia është mjeti më i mirë për ta arritur këtë, megjithëse kemi qenë të qartë se nuk kemi hequr asnjë opsion nga tryeza”, tha ai.
U raportua gjithashtu se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë bërë të paktën tri vizita në Oman për kontakte të tërthorta shtesë, pas fillimit të diskutimeve midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe iranianë në New York dhjetorin e kaluar.
Zyrtarët e Omanit kanë luajtur një rol në përcjelljen e mesazheve mes dy palëve, sipas gazetës.