Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i është kundërpërgjigjur deputetit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi sot kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se nuk shkojnë bashkë thirrja për investitorë dhe paralajmërimi për konflikt.
Kryeziu, në kundërpërgjigjen e tij i ka shtruar disa pyetje deputetit Hoti, në të cilat ka përmendur aktivitetet e fundit të kryeministrit Kurti dhe ka pyetur Hotin se me çka nuk është i kënaqur?
Duke nisur nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në Davos, ftesën për investime të huaja, takimin e Kurtit me homologen nga Finlanda, janë disa prej ngjarjeve, të cilat Kryeziu i ka shtruar në formë pyetjeje, duke thënë se me cilat nga këto nuk është i kënaqur Hoti.
“Më çka nuk është i kënaqur deputeti Hoti?
1) Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Kurtin në Davos në mesin e shumë liderëve botërorë?
2) Me organizimin e konferencës për investitorë të huaj?
3) Me ftesën që po bën për investime të huaja në vend?
4) Me takimin me kryeministren e Finlandës, vend anëtar ky i BE-së, e cila së fundmi ka aplikuar në NATO, synim ky edhe i joni?
5) Me kërkesën për më shumë siguri për Kosovën përmes më shumë trupave të NATO-s në Kosovë? Siguria e shtuar për Kosovën është siguri edhe për investitorët
6) Me shpërfaqjen e Serbisë para opinionit ndërkombëtar, lidhjeve të saj me Rusinë dhe qëllimeve të përbashkëta për destabilizim të Rajonit?
7) Me faktin që Albin Kurti është kryeministër i Kosovës?”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në Facebook./FolDrejt/
Hoti-kryeministrit Kurti: Thirrje për investitorë dhe paralajmërime për konflikt nuk shkojnë bashkë