Presidenti Joe Biden ka ftuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të martën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa administrata amerikane i kërkon Kongresit të miratojë ndihmat shtesë për Ukrainën, e cila po mbrohet nga agresioni i Rusisë.
Vizita synon “të nënvizojë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur popullin e Ukrainës ndërsa mbrohet nga sulmi brutal i Rusisë”, thuhet në një deklaratë të qarkulluar nga Shtëpia e Bardhë të dielën.
Zyra e Presidentit Zelenskyy konfirmoi se ai ka pranuar ftesën e Presidentit Biden. Ai është ftuar gjithashtu të flasë në një takim me të gjithë senatorët amerikanë.
Presidenti Biden i ka propozuar Kongresit një paketë ndihmash prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe Izraelin, si dhe për prioritete të tjera të sigurisë kombëtare. Por të mërkurën, senatorët republikanë bllokuan projektligjin duke thënë se Shteteve të Bashkuara u nevojiten ndryshime madhore për sigurinë kufitare.
Disa republikanë po kërkojnë dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve të paligjshëm, duke ua hequr mundësinë për të kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara. Ata gjithashtu kanë kërkuar pakësim të ndjeshëm të programeve të administratës së Presidentit Biden që u kanë lejuar qindra mijëra emigrantëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa Kongresi pritet të fillojë pushimet e festave të fundvitit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shprehur shqetësim të thellë se ndihmat amerikane mund të mos mbërrijnë në Ukrainë përpara fillimit të dimrit.
Duke folur për kanalin televiziv ABC, Sekretari Blinken tha se Shteteve të Bashkuara po u mbarojnë fondet e caktuara për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon luftën ndaj forcave ruse. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë fonde shtesë për Ukrainën.
“Duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur kërkesa për buxhetin shtesë”, tha Sekretari Blinken gjatë intervistës. Ai theksoi se Ukraina ka bërë një “punë të jashtëzakonshme” duke luftuar agresionin rus dhe duke rifituar 50% të territorit të saj gjatë vitit të kaluar.
Sekretari Blinken gjithashtu vuri në dukje se 90% e fondeve për Ukrainën investohen në Shtetet e Bashkuara. “Për sa i përket prodhimit të materialeve, municioneve dhe armëve që shkojnë tek ukrainasit, kjo bëhet pikërisht këtu, në Amerikë”, tha ai.