Siç bën me dija partia Alternativa përmes një postimi në Facebook, në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë reagimet pro dhe kundër propozimit të vetë kësaj partie për formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare, transmeton Fol Drejt.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ngjashëm si kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, ka refuzuar këtë ide. Sipas Kovaçevskit, marrëdhëniet mes dy popujve janë të rregulluara me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe një asociacion i tillë nuk është i nevojshëm.
“Por, Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, duke iu përgjigjur Kovaçevskit, ka shpjeguar se Asociacioni i Komunave Shqiptare është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk kërkon rishqyrtim të Kushtetutës.
“Ky propozim është në kuadër të bashkëpunimit ndëretnik dhe në frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Një bashkim i tillë nuk është zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit, nuk është kërkesë për ndryshime kushtetuese, as për rrëzim të rendit shtetëror dhe as për ndonjë rregullim tjetër. Propozimi është vetëm në funksion të zhvillimit të komunave pa asnjë zgjidhje territoriale. Ky Asociacion vetëm avancon decentralizimin, i cili po zvarritet prej 20 vitesh”, tha Ibrahimi për Kanal 5.”, thuhet në njoftimin e Alternativës.
“Ai sqaroi se në thelb ideja është që të ndihmohen komunat, një pjesë e të cilave janë tërësisht jofunksionale dhe të falimentuara.
“Kjo ide është vetëm në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve në ato komuna. Kemi komuna të cilat janë thjesht jofunksionale ose të falimentuara. Prandaj një bashkëpunim i tillë i komunave me shumicë shqiptare do të kontribuonte në zhvillimin e infrastrukturës në ato komuna. Nuk mund të paragjykoj se si do të organizohet, me çfarë statuti, me çfarë kompetencash. Kjo është çështje debati”, theksoi Ibrahimi për Kanal 5.”, shton tutje njoftimi./FolDrejt/