Pushimi që filloi në sistemin arsimor është zgjatur sërish me arsyetimin se ndotja e ajrit është në nivele të larta në provincat Elborz dhe Teheran të Iranit dhe është e pashëndetshme për të gjitha grupet.
Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA njoftoi se në mbledhjen e Grupit Emergjent të Ndotjes së Ajrit u vendos që sot dhe nesër të mbyllen të gjitha shkollat, përfshirë universitetet, në të gjitha qytetet e provincave Elborz dhe Teheran, përveç qyteteve Pardis, Demavend dhe Firuzkoh, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në lajm thuhet se mësimet do të zhvillohen online në orët e paradites.
Theksohet se është ndaluar edhe sporti në zona të hapura për shkak të nivelit jo të shëndetshëm të ndotjes së ajrit për të gjitha grupet.
Grupi i Emergjencave të Ndotjes së Ajrit u ka kërkuar qytetarëve që të shmangin udhëtimet nëse nuk është e nevojshme.
Në lajm theksohet se cilësia e ajrit në kryeqytetin Teheran lëvizi rreth indeksit 168, që do të thotë kushte jo të shëndetshme për të gjitha grupet.
Në provincat e Teheranit dhe Elborzit, fillimisht shkollat u mbyllën të shtunën dhe të dielën dhe u tha se procesi mësimor u pezullua edhe të hënën dhe të martën për shkak të ndotjes së vazhdueshme të ajrit. Fundjavat zyrtare për shkollat në Iran mbahen të enjten dhe të premten.
Përveç pozitës gjeografike që nuk është e përshtatshme për qarkullimin e ajrit dhe dendësinë e popullsisë, gazrat e shkarkimit të automjeteve të modelit të vjetër dhe motoçikletave të përdorura gjerësisht janë ndër faktorët që rrisin ndotjen e ajrit në Teheran.
Për këtë arsye, procesi mësimor në shkolla pezullohet shpesh në Teheran, i cili thuhet se është ndër tre qytetet e para në renditjen botërore të ndotjes së ajrit./FolDrejt/