Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, në seancën e sotme të jashtëzakonshme ka pasur kritika për udhëzimin administrativ, i cili i përcakton kushtet për homologim të mjeteve rrugore në Kosovë.
Fjalimi i deputetit Lutfi Zharku
I nderuar nënkryetar,
Të nderuar deputetë,
Homologimi, si procedurë përmes së cilës vërtetohet se mjeti i caktuar i përmbushë dispozitat përkatëse administrative dhe standardet përkatëse teknike, është i njohur per cdo qytetar të Kosovës sot e 10 vite. Fatkeqësisht, nga qytetarët e vendit, homologimi nuk njihet për rëndësinë që ka në komunikacionin rrugor, por është sinonim i një biznesi të cilën e ka shpikur shteti. Dhe më e keqja është se ky nuk është biznes i domosdoshëm të cilin do ta pranonin me vullnet dhe respekt qytetarët për shkak se do të ndjeheshin më të sigurt në automjetet e tyre, por biznes i tillë që krijon të ardhura vetëm për një kompani. Kështu, sot e dhjetë vite më parë, shteti ka krijuar monopol në ofrimin e shërbimit publik.
Gjeneza e homologimit është Marrëveshja e Mirëkuptimit e nënshkruar më 22 shtator 2008, në mes të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit dhe kompanisë Eurolab, me qëllim të zbatimit të kërkesave ligjore për homologimin e automjeteve, si dhe zbatimit profesional të procedurave teknike sipas standardeve evropiane të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 2008/08 për homologimin e automjeteve dhe për implementimin e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor. Marrëveshja është shumë e shkurtë, madje as nene nuk ka, por që bazohet në dy cështje. Në njërën anë, Eurolab obligohet që të investoj dhe finalizoj të gjitha përgaditjet teknike ku përfshihen pajisjet teknike, sigurimi i hapësirës së nevojshme dhe stafit profesional të kualifikuar dhe trajnuar sipas standardeve të BE-së. Në anen tjetër, Ministria i ka dhënë Eurolab-it të drejtën ekskluzive në Republikën e Kosovës që të kryej të gjitha shërbimet e homologimit.
Në përputhje me këtë Marrëveshje, Eurolab ka kryer investimet e duhura të cilat janë konfirmuar nga komisioni i MTPT i formuar për këtë qëllim, i cili edhe i ka propozuar ministrit që të lëshoj autorizimin. Përderisa Marrëveshja nuk përcakton afatin e vlefshmërisë, kjo çështje është përcaktuar me Autorizimin e lëshuar me vlefshmëri 10 vjeçare, gjegjësisht nga 1 korriku 2009 deri më 1 korrik 2019. Për më tepër, autorizimi është zgjeruar edhe me shërbimin e “mbikëqyrjes profesionale të kontrollave teknike” që nuk ka qenë e përfshirë në Marrëveshjen e Mirëkuptimit, por që ka qenë e paraparë me nenin 14 të UA 2008/08, që institucioni i autorizuar për homologim kryen edhe mbikëqyrjen profesionale të kontrollave teknike.
Duke marrë parasysh, që kemi të bëjmë me ofrimin e shërbimit publik, i cili do të ofrohet vetëm nga një kompani, ministrat e transportit dhe financave të asaj kohe, kanë marrë Vendim mbi caktimin e çmimeve për shërbimet e homologimit, ku për vetura, motoçikleta dhe rimorkio deri në 3.5 tonë, është përcaktuar çmimi prej 100 eurove, për rimorkio mbi 3.5 tonë është çmimi 150 euro, dhe për autobus dhe kamion është 200 euro, përfshirë TVSH-në, të cilat jane valide edhe sot. Gjatë kohës sa kam udhëhequr me atë ministri, nuk mu është ofruar asnjë vlerësim apo analizë se si janë përcaktuar këto çmime. Përndryshe, UA 2008/08 për homologimin e automjeteve me nenin 13, ka paraparë autorizimin e vetëm një institucioni për homologimin e automjeteve, kurse para nënshkrimit të kontratës dhe dhënies së autorizimit, ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit, duke shmangur në këtë formë konkurrencën, dhe duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie. Në aspektin financiar, të dyja këto shërbime, homologimi dhe mbikëqyrja profesionale e kontrollave teknike, aktualisht arrijnë shumën prej 3.5 – 4 milion euro në vit që paguhen nga qytetarët tanë.
Deputetë të nderuar,
Marrëveshja e cila i ofron ekskluzivitet në ofrimin e shërbimeve të homologimit me autorizimin 10 vjecar, secilës Qeveri pasuese ia ka bërë të pamundur ndryshimin e kësaj situate përmes ndërmarrjes se cfarëdo akti të njëansëm. Duke marrë parasysh këtë gjendje, Qeveria e Kosovës morri vendimin nr. 17/44, më 12.08.2015, për fillimin e procedurave për eliminimin e të gjitha veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë, ose praktikave që kufizojnë konkurrencën, si dhe ato të cilat krijojnë detyrime për qytetarët e të cilat nuk janë parapare me ligjet në fuqi. Në përputhje me këtë, gjatë Qeverisë së kaluar jemi përpjekur që në mënyrë miqësore dhe në frymën e bashkëpunimit të amandamentojmë Marrëveshjen e Mirëkuptimit duke hequr “të drejtën eksluzive” me qëllim të hapjes rrugë të autorizimit edhe të subjekteve tjera për ofrimin e këtij shërbimi duke dërguar shkresë zyrtare Eurolab-it më 6 janar 2016. Në përgjigjen e tyre, Eurolab ka refuzuar ndryshimin e Marrëveshjes duke u thirrur në investimet e mëdha të bëra në ndërtimin e kapaciteteve infrastrukturore, teknike dhe teknologjike, si dhe burimeve njerzore dhe se çdo ndryshim i kësaj klauzole do të dëmtonte atë, dhe se monopolet në këtë fushë ekzistojnë edhe në vendet e BE-së.
Natyrisht, që është analizuar edhe opsioni i njëanshëm i liberalizimit të tregut apo edhe ndërprerjes së ofrimit të shërbimit të homologimit, por që të gjitha rekomandimet nga juristë, brenda dhe jashtë ministrisë, kanë qenë se veprimet e tilla do të mund të kenë pasoja financiare për Qeverinë në rast të hapjes së procesit gjyqësor duke marrë parasysh klauzolën e eksluzivitetit që përmban Marrëveshja. Kështu, në rast të humbjes së procesit gjyqësor, kompania përsëri do të merrte paratë pa ofruar shërbimin e përcaktuar me Marrëveshje nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe jo nga qytetarët. Prandaj, është zgjedhur opsioni i respektimit të Marrëveshjes dhe autorizimit të dhënë në njërën anë dhe përgatitja e infrastrukturës së re ligjore që mundëson liberalizimin e tregut pas skadimit të afatit të autorizimit, e që është trupëzuar në Ligjin nr. 05/L-132 për automjete i miratuar më 18 prill 2017, që është edhe sot në fuqi.
Deputetë të nderuar,
Këto ditë nga ministri Lekaj, kam dëgjuar se fajtor është ligji për automjete, të cilit i është vazhduar monopoli aktual në këtë fushë. Janë për keqardhje këto deklarata dhe arsyetime banale. Është e pakuptueshme se si mundet një ministër që gati pas dy viteve në pushtet të ankohet për infrastrukturë ligjore. Kjo veç dëshmon se Qeveria nuk ka politika të saj dhe e konfirmon se ligji në fuqi i miratuar nga Ju deputetë, i sponzoruar nga unë si pjesë e Qeverisë së kaluar, është aq i mirë sa që nuk kanë guxim as me prek. Ne nuk e mohojmë të drejtën e Qeverisë, dhe as të subjekteve politike që e përbëjnë, që në politikat e tyre ekonomike të favorizojnë monopolet për ofrimin e shërbimeve të caktuara publike.
Megjithatë, Qeveria, politikat e tilla duhet t’i trupëzojë paraprakisht në ligje të cilat duhet ti aprovojë Kuvendi, me kusht që të mos jenë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Prandaj, unë pres qe ministri të del e të mbrojë politikën e Qeverisë për vazhdimin e monopolit, përmes udhëzimit administrativ 2/2018, të para më shumë se një viti, e jo të thirret në dispozita të cilat lidhje nuk kanë me këtë çështje, e që çdo qytetar mundet lehtë ta vërtetojë. Nëse mendojnë ndryshe, duhet ta kishin ndryshuar ligjin. Për këtë arsye, më duhet të konfirmoj se Ligji për automjete që është në fuqi në secilën dispozitë të tij, jo vetëm që krijon kushte, por obligon liberalizimin e plotë në fushën e ofrimit të shërbimeve të homologimit. Në mënyrë që të mos lihen dilema për këtë çështje, në tërë ligjin i është dhënë kujdes edhe gjuhës së përdorur ku pothuajse në tërë tekstin flitet në shumës për subjektet e autorizuara për homologim, e jo në njëjës.
Më lejoni të përmend dispozitat kyçe të cilat dëshmojnë frymën e ligjit për liberalizim të kësaj fushe. Kështu, neni 10.2 në mënyrë të saktë përcakton se “procedurën për homologimin e mjetit rrugor e kryejnë subjektet e autorizuara për homologim nga Ministria”, kurse neni 10.3 thotë se Ministria me akt nënligjor do të përcaktoj kushtet dhe kriteret të cilat duhet t’i përmbushin subjektet e autorizuara për homologim”. Neni 15 për procedurë të homologimit përcakton se “prodhuesi, përfaqësuesi i prodhuesit apo pronari i mjetit duhet të paraqesë kërkes të veçantë (ndaras) pranë ndonjërit prej subjekteve t autorizuara për homologim”. Neni 16 me vet titullin flet për “obligimet e subjekteve të autorizuara për homolgim”, kurse neni 33 ka titullin “Funksionet e subjekteve për homologim” duke vazhduar me “Subjektet e autorizuara për homologim i kryejnë punët si vijon:”. Neni 34.1 përcakton kushtet funksionale dhe operative për “subjektet e autorizuara për homologim”.
Më duhet të sqaroj se neni 34.2, të cilin ministri Lekaj u mundua ta keqinterpretojë në mënyrën më të vrazhdë për të arsyetuar vazhdimin e autorizimit aktual i cili në fakt rregullon afatin e vlefshmërisë së licencës së cilitdo subjekt të autorizuar për homologim që i plotëson kushtet e përcaktuara me nenin 34.1. Neni 35.3 përcakton se “përcjellja dhe mbikëqyrja ndaj subjekteve të autorizuara për homologim ushtrohet nga Ministria”. Po ashtu neni 36, flet për plotësimin e pandërprerë të kushteve të subjekteve të autorizuara për homologim. Njësoj, neni 38 autorizon ministrin që me akt nënligjor të përcaktojë kushtet për autorizim të subjekteve. Se ligji për automjete në fuqi obligon liberalizimin e tregut dëshmon edhe neni 88.2, sipas të cilit “subjektet për kontrolle teknike mund të licencohen edhe për homologim të mjeteve sipas kushteve te parapara”. Se ligji për automjete në fuqi është në përputhje të Direktivës 2007/46/EC të BE-së, e konfirmon edhe Grant Thornton në analizn e praktikave më të mira të homoligimit të hartuar në nëntor, 2018. Kjo dëshmon se nuk është problem ligji për automjete por politikat qeveritare të cilat prodhojnë akte nënligjore në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Të nderuar kolegë,
I përmendëm të gjitha këto dispozita për të dëshmuar se pikërisht dispozitat e caktuara të Udhëzimit Administrativ 2/2018, për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore të datës 12 prill 2018, i nënshkruar nga ministri Lekaj, janë në kundërshtim me Ligjin për automjete në fuqi. Kështu, neni 7, i këtij udhëzimi, i cili përcakton parakushtet për autorizim kufizon hyrjen e subjekteve të reja në këtë fushë duke kushtëzuar që subjekti aktual i autorizuar të shfrytëzojë kapacitetet e tij në shkallë arbitrare prej 85%, dhe bazuar në studim të fizibilitetit.
Me asnjë nen, Ligji për automjete në fuqi nuk i jep të drejtë ministrit që të kufizojë hyrjen e subjekteve të reja në këtë treg, duke krijuar kushte për vazhdimin e monopolit në këtë fushë. E drejta e tij është vetëm të përcaktojë kushtet që duhet t’i plotësojnë subjektet për t’u autorizuar për homologim. Kjo dispozitë, përpos që është në kundërshtim me Ligjin për automjete, është kundërshtuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili me mendimin profesional të datës 22 dhjetor 2017, vëren se nenet 3.2, 6, 7, 20.2 dhe 20.3 bien ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, dhe i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës që ta bëj plotësimin dhe ndryshimin e këtyre dispozitave deri sa udhëzimi ishte në fazën e draftit, si dhe ka sygjeruar liberalizimin e tregut të homologimit të automjeteve. Po ashtu, edhe Zyra e BE-së në Kosovë më 13 mars 2018, me shkresë zyrtare ka njoftuar ministrin Lekaj, se dispozitat e trupëzuara në draft-udhëzimin administrativ cenojnë ligjin e konkurrencës në Kosoveë dhe në BE, duke shtuar se drafti i tillë do të abuzonte edhe më tutje monopolin ekzistues. Për më tepër, homologimi i veturave të reja paraqet barrierë jo-tarifore që është në kundërshtim me principet themelore të MSA-së.
Duke marrë parasysh që ministri Lekaj shpërfilli vërejtjet në draft-udhëzim, BE brengat e njëjta i përsëriti edhe në shkresën e datës 9 korrik 2018, duke shtuar se bartësi i monopolit ekzistues është konsultuar dhe përfshirë në hartimin e Udhëzimit Administrativ, kështu duke theksuar rëndësinë e evitimit të konfliktit të interesit. BE për këtë qëllim angazhoi edhe ekspertë të jashtëm të cilët me raportin e tyre konfirmuan se ekziston shkelje ligjore në regjistrimin e veturave të reja në Kosovë. Megjithatë, asnjë prej këtyre institucioneve nuk i bëri përshtypje dhe nuk e bindën ministrin Lekaj që të ndryshonte Udhëzimin Administrativ.
Të nderuar deputetë,
Tanimë është e qartë se Udhëzimi Administrativ 2/2018, është në kundërshtim me Ligjin për automjete, si dhe Ligjin për mbrojtje të konkurrencës dhe praktikave më të mira në BE, me të cilin kufizohet konkurrenca në fushën e homologimit të automjeteve dhe cenohet MSA-ja, për të cilën aq shumë kanë punuar të gjitha institucionet tona.
Duke marrë parasysh gjendjen aktuale, propozojmë që në përputhje me nenin 65 pika 1 dhe 14 të Kushtetutës, dhe nenin 6 pika 1 dhe 14 të Rregullore së Kuvendit të miratohet vendimi si vijon:
Menjëherë të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ 2/2018 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit;
Në afat prej dy muajve, të hartohet dhe të hyjë në fuqi Udhëzimi i ri administrativ, i cili do të jetë në përputhje me Ligjin për automjete, Ligjin për mbrojtje të konkurrencës dhe rekomandimet e Zyrës së BE-së në Kosovë;
Deri në fund të vitit 2019, të liberalizohet plotësisht tregu i homologimit të automjeteve.