Të paktën 12 marinarë indonezianë u zhdukën pasi një anije mallrash u përfshi nga erërat e stuhishme dhe u fundos në brigjet e Tajvanit.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim e sipër që nga pasditja e së hënës kur ndodhi incidenti, pasi rajoni u godit nga stuhia tropikale Nalgau, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Pesë nga marinarët u shpëtuan, ndërsa 12 të tjerë mbetën të zhdukur, raportoi sot e përditshmja Taiwan News.
Anija me flamur të Panamasë e identifikuar si Shin Shuen Nr.1 u përfshi nga dallgët e fuqishme në det në portin Kaohsiung të dielën.
Tre nga anëtarët indonezianë të ekuipazhit në bord pësuan lëndime dhe u dërguan në spital me dy helikopterë Black Hawk, të dërguar nga Korpusi Kombëtar i Shërbimit Ajror.
Megjithatë, anija pësoi një defekt të motorit duke lënë pjesën tjetër të ekuipazhit prej 17 indonezianësh të bllokuar në bord.
Ata braktisën shpejt anijen që u mbyt të hënën në mbrëmje.
“Nuk besohet të ketë rrjedhur karburant në oqean si rezultat i aksidentit”, thuhet në raportim.
E njohur si Paeng në Filipine, stuhia tropikale Nalgau goditi rajonin këtë fundjavë dhe la rreth 110 të vdekur në vendin arkipelag, sipas Këshillit Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut të Fatkeqësive./FolDrejt/