Tuneli rrugor i katërti më i gjatë në botë, tuneli Gotthard në Zvicër, është mbyllur në të dy drejtimet deri në njoftimin e radhës për shkak të çarjeve në tavanin e mesëm të tunelit, shkruan AA.
Studimet fillestare treguan një çarje prej 25 metrash në tavanin e mesëm, njoftoi Zyra Federale e Rrugëve Zvicerane (Astra) në një deklaratë për shtyp të hënën.
“Afër hyrjes të tunelit verior, pjesët e betonit janë shkëputur dhe kanë rënë në rrugë”, tha Astra. Nuk ka të lënduar. Tuneli u mbyll rreth mesditës të së dielës, sipas zyrës.
“Tani, para së gjithash, ne duhet të përcaktojmë shkakun dhe masën e dëmit dhe të shohim se si mund ta riparojmë dëmin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Jerome Jacky, kreu i komunikimeve në Astra, për transmetuesin publik SRF.
Deri në përfundimin e punimeve, tha ai, “tuneli rrugor për momentin do të mbetet i mbyllur. Aktualisht nuk e dihet se sa kohë do të duhet për të riparuar dëmet”, deklaroi Jacky.
Më parë, më 10 gusht, tuneli më i gjatë hekurudhor në botë, Gotthard, me gjatësi 57 kilometra, që shkonte afërsisht paralelisht me tunelin rrugor, por mbi tre herë më i gjatë, ishte mbyllur tashmë pasi një tren mallrash doli nga shinat.
Në këtë aksident nuk pati të lënduar, i cili ndoshta është shkaktuar nga thyerja e rrotës, por dëmet kanë qenë të konsiderueshme. Shumica e 16 vagonëve që dolën nga shinat janë ende të bllokuar në tunel.
Tuneli hekurudhor Gotthard është një arterie e rëndësishme për qarkullimin e mallrave, veçanërisht midis Gjermanisë në veri dhe Italisë në jug. Sipas qeverisë zvicerane, më shumë se dy të tretat e trafikut hekurudhor të mallrave përmes Alpeve kaluan përmes tunelit vitin e kaluar, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.