Në rastin ku Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli po akuzohen për krim të organizuar me narkotikë, hetuesi policor, dëshmitari Ahmet Salihu deklaroi se sipas vlerësimit të tij personal gjatë aplikimi të masave të fshehta ndaj të akuzuarit Musliju e kishin problem ta zinin në flagrancë pasi që i njëjti ishte i mençur, dinak dhe profesional në çështjen e narkotikëve.
“S’kemi mujt me kuptu, me i arrestu në flagranc sepse Fatmiri ka qenë shumë i meqem, dinak njeri profesional në këtë drejtim”, tha dëshmitari Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, gjatë dëshmisë së tij Salihu tha se si prova të ligjshme që kanë mundur t’i gjejnë ndaj të akuzuarit Musliju janë vetëm provat që janë gjetur në ditën kritike përfshirë edhe transkriptimine bisedave telefonike që i njëjti i ka zhvilluar për çështje të narkotikëve.
Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuari Musliju avokatit Besnik Berisha, dëshmitari Salihu tha se ndaj secilit rast aplikohen reagime që duhet përshtatur rrethanave të rastit andaj reagimi në rastin konkret ka qenë përshtatshmërish më rrethanat e rastit.
Dëshmitari Salihi tha së të akuzuarit Musliju dhe Xhemajli janë zënë në flagrancë të posedimit të narkotikëve.
Po ashtu dëshmitari Salihi tha se me rastin e zënies në flagrancë të akuzuarave Musliju dhe Xhemajli u janë lexuar të drejtat duke shtuar se kjo është pjesë e praktikës së domosdoshme për zyrtarët policorë.
Dëshmitari Salihu gjatë dëshmisë së tij sqaroi po ashtu se në kohën kur është zënë në flagrancë i akuzuari Musliju dhe Xhemajli ka pasur mundësi t’i parashtrojë pyetje të shkurtra por jo në formë të intervistave.
Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitari Salihu nga avokati Berisha, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova reagoi, duke kërkuar që dëshmitari Salihu të mos maltretohet nga format e parashtrimit të pyetjeve prej avokatit Berisha.
Në këtë situatë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari kërkoj nga prokurorja Bina-Rugova që të përmbahet nga deklarimet e tilla pasi që dëshmitari nuk po paraqitë ankesa në pyetjet e avokatit Berisha.
Në pyetjen e avokatit Berisha, dëshmitari Salhu tha se nuk kanë gjetur asnjë provë tjetër që e implikon më shitje të narkotikëve të akuzuarin Musliju, dhe se provat e vetme që i kanë për të akuzuarin janë të shkruara edhe në kallëzimin penale që e kanë dorëzuar pranë prokurorisë.
Dëshmitari Salihu tha se qysh nga vitit 2003 është i angazhuar në sektorin e narkotikëve në kuadër të Policisë së Kosovës dhe asnjëherë nuk e ka arrestuar më parë një person me emrin si e ka i akuzuari Musliju.
Ndërkaq, në pyetjen e mbrojtësi sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Xhemajli, avokati Fatlum Podvorica dëshmitari Salihu tha se vërtetimin për sekuestrimin e sendeve e kanë përpiluar në zyre, kurse procesverbalin në vendin e ngjarjes dhe se duhet dalluar këto dy situata gjithsesi.
Pas marrjes në pyetje nga avokatit në rimarrje kishte pyetje edhe prokurorja Bina-Rugova, me ç’rast dëshmitari Salihu u përgjigj se kanë pasur takime me zyrtarët e EULEX-it për çështjen e Fatmir Muslijut dhe se në takime me ta nuk kam mbajtur procesverbale por vetëm shënime personale.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Salihu avokati Berisha propozoi që seanca të shtyhet pasi që ka një shqyrtim tjetër gjyqësore në Gjykatën Themelore të Pejës dhe po ashtu ka edhe arsyeje personale familjare, propozim ky që u aprovua nga trupi gjykues.
Paraprakisht sipas gjykatësit Bajraktari në shqyrtimet e radhës gjyqësore do të vendoset si do të procedohet me dëshmitarët tjetër pasi që tash sipas tij ka hyrë në fuqi Kodi i ri i Procedurës Penale.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua të mbahet me 13 qershor të këtij viti.
Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe i pandehuri Z.G., mirëpo pasi që i njëjti ka ndërruar jetë, ndaj tij ka pushuar procedura penale.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, Fatmir Muslijin, Z.G. dhe Brahim Xhemajlin i kishte shpallur fajtorë për shpërndarje të narkotikëve, kurse Muslji ishte liruar nga akuzat për shpëlarje të parave.
Shkalla e parë, të akuzuarit Musliji i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh si dhe dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh. I akuzuari Xhemajli, ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim dhe katër mijë euro gjobë. Kurse, Z.G ishte dënuar me tre vite e tre muaj burg dhe 500 euro gjobë.
Të akuzuarit Musliji, gjykata i kishte konfiskuar edhe 6.63 ari tokë, një shtëpi, një veturë, narkotikun e gjetur tek ai dhe disa telefona.
Mirëpo, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave si dhe shkresat e lëndës ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë sërish është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj kjo gjykatë e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit thuhet që në rigjykim kjo çështje penale t’i jepet një trupi tjetër gjykues pasi që është hera e dytë që anulohet kjo lëndë e trupit gjykues duke mos përfillur vërejtjet e Gjykatës së Apelit, e që për gjykatën e shkallës së parë janë obligative.
Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2016, tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Muslijin e kishte dënuar me 8 vite burgim dhe me gjobë në shumën prej 10 mijë eurosh. Ndërsa, ndaj Xhemajlit, gjykata kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj dënim me burg si dhe me gjobë në shumën prej 4 mijë eurosh. Kurse, të akuzuarin G., e kishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim si dhe me gjobë prej 2 mijë eurosh.
Mirëpo, pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.
Sipas Apelit, i akuzuari Musliji ishte dënuar duke u bazuar vetëm në aktgjykimin e Gjykatës së Munchenit në Gjermani si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se narkotikun e kishin marrë nga Musliji. Një nga arsyet e Apelit, ishte se pa u dëgjuar këta dëshmitarë, nuk mund të ketë prova në procedurën penale që zhvillohet në Kosovë.
Ndërkohë, sipas aktakuzës, tre të akuzuarit kishin vepruar si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, ku pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit heroinë.
Sipas aktit të akuzës, i pandehuri Fatmir Musliji e kishte formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm në mes tyre edhe të pandehurit, Brahim Xhemajli dhe Z.G.
Sipas prokurorisë, Musliji nga dhjetori 2008 e deri në shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shitjen e mbi 40 kilogramë heroinë për në Gjermani nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën me të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.
Musliji dhe Xhemajli akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krim të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.