Sot në orët e hershme të mëngjesit Prishtina u trondit nga një krim brenda familjes.
70-vjeçari me inicialet I.G i mori jetën bashkëshortes së tij 63-vjeçare S.G, për të cilën thuhet se ishte mësimdhënëse.
Tashmë e ndjera S.G. për shumë vjet kishte dhënë mësim në shkollën fillore “Dardania”, në Prishtinë, si mësimdhënëse e lëndës së Gjeografisë.
Kujtojmë se i dyshuari për vrasjen e 63-vjeçares, pas krimit është dorëzuar në polici, ndërkaq siç njofton Prokuroria, më pas është ndaluar.
Tutje, mësohet se shkolla “Dardania”, për shkak të rastit tragjik të mësimdhënëses së tyre, ka anuluar të gjitha aktivitetet për festën e 28 Nëntorit.
Këtë e bëri të ditur vetë shkolla përmes një postimi:
“Me dhimbje të thellë sot më datë 25.11.2022 në orët e mëngjesit morëm lajmin e ndarjes nga jeta të koleges sonë znj. Sadije Miftari- Godeni, arsimtare e lëndës së Gjeografisë. Ajo u shqua gjithmonë si person i qetë dhe i edukuar, dhe do ta kujtojmë me mall gjithmonë edhe për kontributin e saj shumëvjeçar meqë shkolla humbi një person shumë të dashur. Me këtë rast, poashtu ju njoftojmë se të gjitha aktivitetet e planifikuara sot në shkollë për nder të Festës së 28 Nëntorit anulohen! Arsimtares sonë i pushoftë shpirti në paqe! Me pikëllim, Drejtoria dhe gjithë stafi i shkollës”./FolDrejt/