Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të sigurojë sa më parë librat shkollorë, në mënyrë që mësimi të fillojë me kohë, përcjell Fol Drejt.
“Për Drejtoritë Komunale të Arsimit, është me rëndësi që mësimi të fillojë pa vonesa dhe viti i ri shkollor të gjejë nxënësit me libra. Ne jemi të bindur që propozim vendimi i MASHTI-it do të krijojë vonesa dhe humbje efektive të mësimit”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
“Ministria e Arsimit nuk ka njoftuar Komunat për propozimet e reja dhe ato nuk kanë pasur paraprakisht asnjë njoftim zyrtar nga ana e Ministrisë. Gjithsesi, si gjithmonë, Komunat janë të gatshme të ndihmojnë Ministrinë në shpërndarjen e teksteve shkollore.
Për ne është e domosdoshme që Ministria e Arsimit të sigurojë sa më parë librat shkollor, që mësimi të fillojë në kohë, e që humbjet e orëve të mos përsëriten sikur vitin e kaluar. Në të kundërtën, barrën e vonesave do ta bartin nxënësit në mësimnxënie e prindërit në financim të librave”, shton më tej njoftimi.