Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) pas takimit me temë energjinë që u zhvillua dje deri në orët e vona të natës, u mblodhën sot sërish për çështjet e politikës së jashtme.
Liderët e 27 vendeve të BE-së, pasi ndanë plotësisht ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së për energjinë dhe ekonominë, u mblodhën në ditën e dytë për çështjet lidhur me luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën liderët e BE-së do të trajtojnë masat që do zbatohen kundër Rusisë.
Anëtarët e BE-së, kryesisht ato të vendeve baltike kanë vënë në dukje se nuk do të mjaftojnë fjalët për mbështetjen që do të jepet për Ukrainën kundër Rusisë dhe insistuan në ngritjen e një gjykate që do të kërkojë llogari për veprimet e Rusisë në luftë.
Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins në një deklaratë për gazetarët gjatë ardhjes së tij në mbledhje, tha se duhet të fillohen menjëherë punimet për ngritjen e një gjykate ku do të gjykohet Rusia.
Ndërkohë lidhur me marrëdhëniet me Kinën do të vlerësohet pozicioni strategjik afatgjatë i Evropës. Administrata e BE-së thekson se Kinën e shohin si një partner të rëndësishëm por edhe si një kundërshtar dhe se këto duhet të merren parasysh teksa vlerësojnë marrëdhëniet.
Liderët e BE-së biseduan për energjinë dhe ekonominë, çmimet e rritura të energjisë dhe hapat që do ndërmerren për të penguar efektet negative të kësaj në ekonomi.
Teksa liderët nuk mundën të arrijnë dakordim për zbatimin e çmimit tavan për gazin natyror, vendosën që të zhvillohen punime për të përcaktuar pasojat e mundshme të çmimit tavan.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se vendet e BE-së diskutuan për blerjen e përbashkët të gazit. “Liderët këtu mbështetën shumë idenë për të lejuar kompanitë të formojnë konzorciume për të blerë gaz të përbashkët dhe të punojnë së bashku për të bashkuar forcat”, tha ajo.
Në kuadër të blerjes së përbashkët të gazit, parashikohet që 15 për qind e kërkesës totale të realizohet së bashku.
Administrata e BE-së bëri të ditur se TTF e cila përcakton çmimet e gazit në Evropë, nuk pasqyron më tashmë situatën reale të tregut se për këtë arsye do të zhvillojnë indeks të ri plotësues për të pasqyruar më mirë situatën e çmimit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe se do të marrin masa të përkohshme deri në zhvillimin e këtij indeksi.
– Draghi jep lamtumirën, Kristersson merr pjesë për herë të parë
Në mbledhjen e këtij samiti të liderëve të BE-së kryeministri i Italisë Mario Draghi mori pjesë për herë të fundit në samit.
Në takim u nda një vend special lamtumire për Draghin i cili do t’ia lërë detyrën Giorgia Meloni-t e cila pritet të jetë kryeministre pas zgjedhjeve në Itali.
Sipas informacioneve nga zyrtarët e BE-së, në fillim të takimit në ditën e dytë u prezantua një video e përgatitur për Draghin. Pas prezantimit Draghi mbajti një fjalim lamtumire për liderët.
Kryeministri i ri i Suedisë, Ulf Kristersson mori pjesë për herë të parë në Samitin e Liderëve të BE-së./FolDrejt/