233 shpërndarës të drogës janë arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme në Shqipëri.
Për këtë reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili realizimin e arrestimeve e quajti “superoperacion” të Policisë së Shtetit shqiptar, shkruan Fol Drejt.
“SUPEROPERACIONI I POLICISË SË SHTETIT u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave. Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri
Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, u shpreh Rama në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Ju ftojmë ta ndiqni edhe videon e publikuar brenda postimit të Ramës./FolDrejt/