Zyrtarët e shëndetësisë së Danimarkës njoftuan se po zgjasin afatin e pezullimit të vaksinës AstraZeneca për COVID-19 edhe për tre javë për të lejuar më shumë kohë për prova sigurie në lidhje me një mpiksje gjaku që rezultoi vdekjeprurëse tek një person që kishte bërë këtë vaksinë.
Danimarka pezulloi administrimin e vaksinës më 11 mars pas njoftimit se një grua daneze 60-vjeçare vdiq nga mpiksja e gjakut pasi bëri vaksinën. Disa vende të tjera evropiane bënë të njëjtën gjë.
Në një konferencë shtypi në Kopenhagë, Tanja Lund Erichsen e Agjencisë Daneze të Barnave u pajtua me vendimin.
“Nga një perspektivë farmakologjike, vaksina vazhdon të jetë e sigurt dhe efektive kundër COVID-19. Por nuk mund të përjashtohet mundësia që ekziston një lidhje midis vaksinës dhe një forme shumë të rrallë të mpiksjes së gjakut”, tha ajo.
Të dhënat mbi provat klinike me më shumë se 30,000 pjesëmarrës në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se regjimi me dy doza është 76% efektiv në parandalimin e coronavirusit simptomatik.
Vaksina Oxford-AstraZeneca ka qenë alternativa kryesore në botën në zhvillim për shkak të kostos së saj të ulët dhe kushteve më të lehta për t’u ruajtur.
Në shkallë globale, më shumë se 124.6 milionë njerëz janë infektuar, dhe mbi 2.7 milionë kanë vdekur.