Për figurën dhe veprimtarinë e Sami Frashërit “është shkruar shumë”. Në shumicën e kronikave, artikujve, shkrimeve dhe studimeve thuhet se Samiu ka trajtuar edhe çështje të ndryshme sociologjike, ndër to, ka trajtuar edhe dukurinë e fesë. Këtë e thonë edhe studimet e vonshme që i janë bërë veprës së Samiut në aspektin sociologjik.
Shkruan: Emin Uka, sociolog
Ato thonë se Samiu në fushën e sociologjisë ishte i interesuar t’i njohë dhe t’i mësojë cilësitë e problemeve shoqërore dhe natyrore të kohës, si: shqiptare, turke, evropiane e botërore; shoqërore dhe natyrore; kulturore, edukative, zakonore (ta zëmë të breznive), fetare – të karakterit kombëtar dhe ndërkombtar etj.
Ky mendim i studiuesve (sociologëve) na jep të drejtë të besojmë se shumë çështje sociologjike saminiane të pandriçuara duhet të ndriçohen dhe do të ndriçohen në të ardhmen, me qëllimin për ta parë ndikimin dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit sociologjik shqiptar modern.
Dukurisë së fesë, Samiu i bën vend në veprat: “Mitologjitë”, “Njeriu”, “Përsëri njeriu”, “Qytetërimi islam”, “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e islamit” etj. Dhe, në qoftë se pyetni pse e zgjodhem këtë temë si subjekt për trajtim e bëmë, për arsye se tema në fjalë, nuk u studiua deri tash, mandej kjo temë na duket më e përshtatshme se çdo gjë tjetër sepse është një realitet që gjindet më pranë nesh dhe që është në gjendje në çdo kohë t’i prekë idetë dhe veprimet e njeriut.
Para se të hyjmë në trajtimin e temës, fillimisht të shohim se ç’është feja? Shumë shkenca fenë e studiojnë si “lidhje mes robit dhe Zotit” (Dr. Borislav Lorenc, 1939, 14), ose “si lidhje mes subjektit dhe objektit” (Ekrem Sarikçioglu, 2007, 22), përkatësisht, e studiojnë fenë, “… si një lidhje: emocionale, motivuese, introspeksionale, metafizike, psikologjike, filozofike me një fuqi mbinatyrore e cila për secilin konfeksion fetar ka një domethënie të veçantë, sepse është formë subjektive e përjetimit emocional” (Ferdi Kamberi, 2015, 9). Për dallim nga to, sociologjia, fenë e studion si vetëdije kolektive, si produkt shoqëror, si përvojë shoqërore.
Të përkujtojmë se feja, në aspektin sociologjik, sot studiohet nën ndikimin e tri teorive të “tre teoricienëve “klasikë” të sociologjisë: Marksit, Dyrkemit dhe Veberit” (Hubert Knoblahuch, 2004, 121). Asnjëri prej tyre nuk ishte besimtarë, të tre thonë se feja është produkt shoqëror; është përvojë shoqërore, dhe se rëndësia e saj do të pakësohet në kohët moderne. Por, “siç po duket prefecia e tyre nuk po del e sakt” (Toni Bler, 2011).
Atëherë le të shohim më konkretisht pikëpamjen e Samiut mbi fenë. Duke i kosultuar veprat e Samiut nga këndvështrimi sociologjik, del se ai provoi në jetë ta formojë pikëpamjen e tij mbi fenë duke u nisur nga të gjitha ato që i kishte mësuar për të në fëmijëri – në teqetë bektashiane, nga mësuesit e fesë në Janinë dhe jashtë gjimnazit “Zosimea”, nga ndikimet dhe funksioni i fesë në rrjedhat e jetës shoqërore në Perandorinë Osmane, ku çdo lëvizje politike, kulturore dhe shoqërore ishte e detyruar të marrë formë ideologjike në baza fetare. Por, më gjithë përpjekjet e tij të bëra, për ta ngritur një teori të tij mbi fenë, fjala vjen, siç bën tre “klasikët e fesë”: Marksi, Dyrkemi e Veberi, këtë nuk e arriti, por, arriti ta shpjegojë shkencën të veçuar nga ndikimi i fesë, por, parimisht si deist duke e njohur “ekzistimin e perëndisë”.
Të studiuarit e veprës së Samiut, ku ai flet për fenë, rezulton se gjatë trajtimit të fesë, parimisht ai është deist i mbështetur në iluminizëm, përkatësisht, në pozitivizëm e pragmatizëm. IIuminizmi, ky term, që tingllon si një theks i ri; në vend të teologjisë dogmatike të krijimit të botës, zë fill një ide e re për shkencën, kurse deizmi si doktrinë filozofike që lindi diku rreth shekullit 17-të dhe 18-të tek iluministët e Britanisë së Madhe, Francë dhe Gjermani, ia “mbushi” mendjen edhe Samiut të besojë se “Zoti si qenie më e lartësuar që e meriton krijimin e tij kozmik (pra mbasi e krijoi çdo gjë), më nuk ndërhyn në punët e saj e as në mendimet tona private dhe shpresat” (Riçard Dawinks, 2014, 58). Ndryshe, iluminizmi konsiston në luftën kundër injorancës e paragjykimit, duke aplikuar një analizë racionale në të gjitha fushat e mundshme të ekzistencës njerëzore.
Samiu i mbështetur në dy doktrinat filozofike: iluminizëm dhe deizëm, që në kohën e tij ishin forca vendimtare e “mendjes”, “intelegjencës”, e që i lejonin njeriut të zbulojë të fshehtat e botës dhe të ecë përpara, shumë studiues të veprës së Samiut rrahin në një pikë: “njeh (e pranon) botën materiale; idenë e pafundësisë së gjithësisë; popullarizon dituritë në filozofi; e thekson idenë e zhvillimit të vazhdueshëm të natyrës dhe të shoqërisë; e njeh tezën se njeriu është rezultat i zhvillimit natyror etj”. (Jashar Rexhepagiq, 2005, 121-122).
Samiu është shumë i qartë kur flet për lindjen e fesë. Në librat e tij, që përshkohen nga një frymë fetare dhe nga një frymë iluministe, s’është vështirë të kuptohet pikëpamja e tij mbi lindjen e fesë. Sipas Samiut, feja lindi si “nevojë për përcaktimin e një shpërblimi për një të mirë dhe dënimi për një të keqe” (Sami Frashëri, 2004, 101). Kjo do të thotë të gjitha përgjigjet janë produkte të mendjes. Pyetjet lindin në mendje dhe po atje shfaqen përgjigjet. Dhe pasi njeriu e polli fenë për një të mirë dhe dënimi për një të keqe, ajo u fut thellë në shtresat më të thella të personalitetit, ku njeriu merr pjesë me gjithë qenien e tij.
Samiu është sociologu i parë shqiptar i cili lindjen e fesë e shpjegon në mbështetje të kushteve: natyrore, psikologjike dhe shoqërore.
Sipas kushtit të parë apo natyror, farën e fesë e ka mbjell vet njeriu. Kjo do të thotë se të gjitha përgjigjet janë produkte të mendjes. Njeriu duke mos qenë në gjendje t’i shpjegojë fenomenet e natyrës dhe duke dominuar më tepër mendjelehtësia se sa mendjehollësia, shkaqet e lindjes së fesë, njeriu I kërkoi jashta natyrës, që do të thotë se “Feja ka lindur kur njeriu filloi të përparojë, kur filloi të mendojë më thellë dhe veçanërisht të lexojë e të shkruajë, atëherë u detyrua të mendojë edhe për mënyrën e shfaqjes së vetë. Kështu, krahas detyrimeve të tjera të natyrshme, çdo popull ka arritur të formojë bindje dhe një besim të posaçëm për vete” ( Sami Frashëri, 2004, 17).
Kurse, sipas kushtit të dytë apo psikologjik, lindjen dhe zhvillimin e fesë e kushtëzoi “frika nga hijet, nga të vdekurit, errësira, vërshimet e mëdha, kushtet jonormale të jetës, lufta me shtazët e egra, fatkeqësitë e ndryshme nga sëmundjet etj.” (Sami Frashëri, 2004, 101). Kështu, njeriu duke mos gjetur rrugëdalje konkrete, prej tyre bëri çudi dhe krijoi fytyra diviniste. Pra, mahnitja përballë fshehtësive natyrore, lindën mendimin mbi lindjen e fesë.
Ndërkaq, sipas kushtit të tretë apo aspektit shoqëror, “Feja… fillesën e saj e ka nga mendja e njerëzve në pafuqishmërinë përpara forcave të jashtme të natyrës dhe forcave të instinkteve në vetvete”. Kjo çon të kuptojmë se “Lindja e fesë nuk është një karakteristikë me të cilën njerëzit lindin. Askush nga ne nuk lind as me idetë gjeometrike karteziane, as me idenë e Zotit. Këto ne i mësojmë dhe i bëjmë (ose jo) pjesë të botëkuptimit tonë gjatë jetës, në varësi të rrethanave ekonomike, sociale e kulturore në të cilat socializohemi dhe risocializohemi” (Fatos Tarifa, 2014, 229). Ky botëkuptim mbi fenë pastaj “merr fuqi
urdhërimi e detyrimi dhe i imponohen individit, deshi ky apo s’deshi”. Me fjalë të tjera, fenë me ritet dhe ceremonitë fetare individit nuk ia cakton Zoti; ato fitohen në gjirin familjar dhe jashtë tij, që kuptohet se feja është “vetëdije kolektive”, shkruan Dyrkemi. Meqë feja është studiuar nga aspekti shoqëror, Samiu me të drejtë shkruan: “çështja e lindjes së feve u përket kohëve historike” (Sami Frashëri, 2004, 78).
Të shpjeguarit e lindjes së fesë, sipas tri kushteve nga Samiu, gjithsesi na lejohet të mendojmë se “Lindja e fesë nuk është një karakteristikë me të cilën njerëzit lindin. Askush nga ne nuk lind as me idetë gjeometrike karteziane, as me idenë e Zotit. Këto ne i mësojmë dhe i bëjmë (ose jo) pjesë të botëkuptimit tonë gjatë jetës, në varësi të rrethanave ekonomike, sociale e kulturore në të cilat socializohemi dhe risocializohemi” ( Fatos Tarifa, 2014, 229). Ose, ndryshe, “besimet mbi fenë marrin fuqi urdhërimi e detyrimi nga rrethi ku jeton dhe i imponohen individit, deshi ky apo s’deshi” (Fehmi Agani, 1990, 228). Edhe ritet dhe ceremonitë fetare individit nuk ia cakton Zoti; ato fitohen në gjirin familjar dhe jashtë tij.Pra, “Përvoja fetare – është vetë shoqëria” (Dyrkem, 2000, 328). Por, “çështja e lindjes së feve, shkruan Samiu, u përket kohëve historike” (Sami Frashëri, 2004, 78).
Ka shkrime që thonë se Samiu ishte besimtar i fesë islame. Po, Samiu ishte besimtar i fesë islame i tarikatit bektashi. Si besimtar i fesë islame sikur e veçon fenë islame nga fetë e tjera dhe thotë se feja islame është dhuratë nga Allahu dhe tradita pejgamberiane, që do të thotë se nuk është rezultat i kushteve natyrore, psikologjike e shoqërore. Feja islame, sipas tij, s’është mashtrim, as lutja ndaj Zotit s’është false, siç pretendojnë tre klasikët e fesë: Marksi, Dyrkemi dhe Veberi. Sipas Samiut, feja islame del dhunti mbinatyrore, pasi burimi i saj është Zoti; ajo është dhunti mirëdashëse, pasi buron prej dëshirës hynore; ajo është dhunti e vullnetit të lirë, pasi buron prej dashamirësisë së pastër hyjnore e jo borxh që duhet kthyer.
Dhe, për ta forcuar besnikërinë e tij ndaj fesë islame, ai shërbehet edhe me ajete kuranore se “E vetmja fe e pranuar tek All-llahu është Islami” (Sami Frashëri, 2004, 19).
Po ashtu, Samiu e pranon ekzistencën e Allahut dhe ofron argumente ontologjike. “Ekzistenca dhe madhështia e Krijuesit të Plotfuqishmit, shkruan Samiu, do të mund të kuptohet vetëm me argumentet e krijesave të Tij, … dhe më qëllim që të nis studime për krijesat e tij, nuk frikësohem se do të bie në mosbesim” (Sami Frashëri, 2004, 25). Në këtë rast, Zoti, për Samiun është kryefjala, kurse kallxuesi është: i Madhërishëm, Fuqiplotë.
Por, në realitet cila është pikëpamja e tij mbi fenë, kur lexojmë edhe shkrime se Samiu dhe Hoxha Tahsini janë “gjysmëateist” (Prof, dr. Hafiz, H. Hoxha, 2010, 153). Ndoshta, mendimi i Samiut se “Në kishë dhe xhami le të shkojë kush të dojë sipas besimit të vet… por…” (Zija Xholi, 1978, 29), dhe mendimet tjera për fenë se ajo të ndahet nga shteti, mësimi fetar të largohet nga shkollat laike, feja të përjashtohet si force politike dhe të mos shikohet si një instrument ose si një forcë e lartë dhe e padukshme që realizon kontrollin mbi fatin e njeriut që ka pasur dhe që provon të ketë të drejtën për të kërkuar nënshtrim, nderim dhe adhurim, në emër të Zotit etj. besoj se nuk janë argumente që Samiu të gjuhët në taborrin e gjysmëatestëve. Sepse ai, para se gjithash, është kujdesur për rregullimin e çështjeve të kultit fetar. Shih kreun e tretë të librit “Çdo të bëhet Shqipëria”. Kujdesimin e kësaj pune ia ngarkon Ministrisë së Arsimit ose asaj të Drejtësisë dhe tregon si do të organizohet ajo.
Për faktin se besimtarët si: komunisti, teisti, ateisti, deisti, skeptiku, panteisti, fashisti etj., kanë botëkuptimet dhe pikëpamjet e veta për çështje të ndryshme sociale, morale, normative, politike, emocionale, filozofike e të tjera, atëherë, sigurisht, ka një arsye të shihet vendi i Samiut në mesin e këtyre besimeve, sepse “komunisti, për shembull, beson se Zoti nuk ekziston, ateisti nuk e thotë se s’ka Zot, por thotë: “Ç’mund të bëj, kur ai nuk ekziston? Unë nuk jam fajtor” (Osho, 2015). Teisti thotë Zoti ekziston, ndërsa, deisti thotë Zoti ekziston, por Ai pasi e krijoi botën me të gjitha sendet, ajo zhvillohet sipas ligjeve të veta, ndërkaq, skeptiku thotë unë mbështetëm në përvojë dhe panteisti thotë çdo gjë është natyra.
Për më tepër, ateisti, dallon më së tepërmi nga besimtari religjioz nga “liria” që ka për të mos qenë kategorikë ndaj rregullave dhe ndaj bindjeve që ka; nuk ka një detyrim regjid për të ndjekur kulte të liderëve dhe profetëve të caktuar. Ky ateisti, siç shihet, nuk ka ndonjë ritual të automatizuar sikur besimtari fetar. Në një farë kuptimi ateisti është teist, pastaj është edhe deist, mbase tre besimtarët, koncentrohen në shtrimin e pyetjes që është e ngjashme me të besimtarit: kush jemi ne? nga vijmë, ku do shkojmë?, çka përtej…?
Thjesht, bindja e ateistit është një klithmë kundër pafuqisë njerëzore për të kuptuar dhe njohur Zotin me fakte empirike. Pohimi i ateistit “nuk besoj në Zot, nuk është ekuivalent me qëndrimin filozofik: nuk ka Zot ose Zoti nuk ekziston” (Ferdi Kamberi, 2015, 227). Por, megjithatë, në mesin e atetistëve, ka një ndjenjë religjioze të mbetur, kur ata flasin për çështje si mendja, universi dhe vendi ynë në të. Në këtë rast, besimi fetar duhet të kuptohet drejt, ndryshe “Ana më e mirë në fe qëndron në faktin se, fetë…, krijojnë heretikë (ateist)” (Danko Gërliq, 1986, 53).
Në fakt idealisti objektiv, duke qëndruar përkrah filozofëve materialist të Greqisë antike, iluministëve frengë dhe rilindësve të kohës së tij, të cilët e konsiderojnë në një kuptim themelor fenë edhe iluzion, iluministi Sami, këtu gjen rastin për të mbrojtur idenë e tij iluministe se feja dhe bestytnitë janë të pafuqishme para diturisë. “Të marëtë sado, të vrasinë e të therinë të urtëtë, thotë ai, kurë të dituritë s’mundenë nga të padituritë, edhe kurë egërsia e përrallatë s’qëndrojnë dot kundruell dituris’ e urtësisë”.
Këtu Samiu jep prova se është në anën e diturisë, meditimit, dyshimit dhe përvojës. Kjo është prova se Samiu është një skeptik në trajtimin e problemve shoqërore, pra dhe të fesë, sepse skeptiku thotë: Vetë dua të di por, përderisa nuk do ta mësoj dot, kjo nuk është dituri. Vetëm përvoja ime mund të më më bindi në njëfarë mënyre.
Merita e Samiut në trajtimin e fesë qëndron në faktin se fenë e rikuperoi në suaza shkencore. Në mbështetje të iluminizmit ai ngriti çështjen e dallimit ndërmjet fesë dhe diturisë, përkatësisht fesë autoritare dhe asaj humaniste. Për thelbin e fesë autoritare, ai jep në mënyrë origjinale të dhëna, duke e quajtur një filozofi e cila mundon shumë e mëson pak. Feja autoritare ka qenë një detyrë e mprehtë e shkencës dhe e filozofisë sidomos në shekujt e 16-të dhe 17-t Thelbi i saj është dogmatizmi. Përballë kësaj feje vë fenë humaniste, dhe thotë se thelbi i saj është dashuria dhe toleranca ndërmjet njerëzve.
Feja autoritare është e tillë, sepse qëndron në mendimin e thënë në mënyrë të hapët apo heshtazi se bota dhe njerëzia, historia, shkenca dhe ligji duhet t’i përshtatën dogmës fetare. Provat thonë se feja autoritare ka rrënjosurë tek njeriu, gjatë historisë frikë, trishtim, vuajtje dhe mjeriim nëpërmjet të cilave mendjen e njeriut e ka kthyer kundër natyrës dhe, kjo është metoda më e thjeshtë, madje ky është edhe sekreti i saj. Përballë fesë autoritare, Samiu vë arsyen dhe përvojën. Arsyeja dhe përvoja hedhin poshtë paragjykimet, traditën, të vjetëruarën, mendimin e njëtrajtshëm që e mbron dhe e mbanë gjallë dogma
fetare. Shpjegimin e dogmës fetare mbi botën, shoqërinë dhe njeriun duhet zbritur nga froni për shkak të spekulimeve dhe funksionimit të kotë dhe kotësive mitologjike fetare dhe manipuluesve mitologjik fetarë, të cilët me mashtrime mbanin në dorë të “vërtetën” dhe monopolin e mësimit në shkolla, shkruan Samiu…
Samiu sqaron pse feja autoritare është “fe iluzore”. Ajo është e tillë, përderisa ajo shënjtëron institute të shëmtuara njerëzore, me të cilat ajo ishte e lidhur gjatë historisë së saj dhe, përveç kësaj, ajo I mëson njerëzit të besojnë në iluzione dhe u ndalon të mendojnë njerëzit në mënyrë kritike, prandaj ajo mban edhe përgjegjësi për varfërimin e intelektit njerëzor. Në këtë plan, Samiu ofron shembuj, duke përmendur njerëzit përparimtarë: shkencëtarë, filozofë e të tjerë, të cilët u torturuan, u burgosën, u dogjën në turra të druve dhe u anatemuan në emër të fesë autoritare – Zotit. Nga ta përmend: Kopernikun, Keplerin, Galilenë, Njutonin, filozofët: Dekartin, Volterin, Rusonë, Brunonë etj., të cilët kërkuan lirinë e mendimit të lirë dhe shkencorë. Ai, me keqardhje flet për Galilenë (1564-1642), dijetarin e famshëm i cili zbuloi se toka rrotullohet rreth diellit e, për këtë zbulim, dijetari në moshën shtatëdhjetëvjeçare del përpara gjyqit të inkuizicionit. Gjyqi kërkon prej tij të pendohet dhe të kërkojë falje për “mëkatin”, se e kishte ndryshuar Ungjillin dhe Biblën. Kështu i lexohet aktvendimi që shkruante se ishte i detyruar që t’i lexonte psalmet e Davidit një herë në javë, si dhe të betohej se tërhiqej nga një besim i tillë. I ngrati dijetar plak, me ndërgjegje të vrarë se do të betohej rrejshëm për herë të parë në jetën e tij, duke u penduar dhe duke kërkuar falje sepse kishte thënë të vërtetën, me dorën mbi Ungjill dhe duke e përplasur këmbën në tokë, tha: “Zotërinj! Unë po betohem se toka nuk rrotullohet, por ajo, megjithatë, rrotullohet; ajo nuk ua vë veshin betimeve të mia” (Sami Frashëri, 2004, 99). Natyrisht, Galilei nuk u soll si martir, nuk ishte i etur për flijim, madje, ai bëri, gjithmonë, lëshimet e nevojshme përballë autoriteteve kishtare, megjithëse me kujdesin e duhur, dhe pa tradhtuar asnjëherë bindjet e tij shkencore. Me këta emra shkencëtarësh e filozofësh, Samiu i fut shqiptarët e kohës së tij në një botë interesante, në botën e shkencës dhe filozofisë dhe iu tregon se ç’tip kulture u duhet të zgjedhin, duke iu thënë se “Shkencat pozitive dhe zbulimet e reja i kanë hedhur poshtë besimet e kota”.
Provat në fjalë, tregojnë se feja autoritare është një përvojë e frikshme dhe iracionale. Përveç tjerash, ajo spekulon edhe “mbi prejardhjen e grupeve të ndryshme të njeriut nga bijtë e Noes” (Zymber Bakiu, 1984, 181); spekulon për jetëgjatësinë e njërëzve me qindra vjet jete; spekulon për profetët se kanë jetuar më mija vjet; spekulon për vdekjen dhe frikën nga ajo etj. Samiu kërkon ndarjen e fesë nga shteti dhe kërkon që feja të mos mësohet në shkollat laike.
Përkundër fesë autoritare si ideologji totalitare e maskuar si teologji dhe si burim turbullire dhe trazim mendor, Samiu deklarohet për fenë humaniste, për fenë toleruese, për fenë e cila duhet të ndryshojë me ndryshimin e rrethanave dhe kushteve shoqërore. Fe humaniste, sipas Samiut, do të thotë liri e mendimit, besim dhe ndërgjegje e pastër. Feja humaniste ka arsyen dhe përgjegjësinë të bazuar në besim.
Për shembull, sipas Samiut, feja islame është fe humaniste për faktin se lejon të kërkohet e vërteta, lejon që dituria dhe e vërteta të kërkohen “qoftë dhe në Kinë”! Prandaj, çdo fe që lejon lirinë e të shprehurit të fjalës, që nuk e pengon zhvillimin e arsimit, nuk e fik dritën e tij, por e ndez, ajo e ka emrin fe humaniste.
Roli i fesë humaniste është t’i zhvillojë aftësitë e arsyes së njeriut për të kuptuar ai vetveten, qëndrimin e tij ndaj shokëve të profesionit dhe vendin e pozitën e tij në botë. Qëllimi i saj, shkruan Erih From (1900-1980), “… është arritja e fuqisë së madhe, por jo e pa fuqisë më të madhe, se virtyt është vetë realizimi dhe jo nënshtrimi” (Erih Fromm, 2015, 45).
Përfundim:
Feja, në të cilën synon Samiu, është feja e cila në zhvillim e sipër transformohet dhe evulohet në kulturë. Këtu qëndron esenca pozitiviste dhe pragmatiste e koncepcioneve fetare të Samiut.
Pavarësisht kërkesës së tij parimore për fenë se roli i saj duhet të jetë dashuria ndërmjet njerëzve, arritja e përsosmërisë së qenies njerëzore dhe përsosja e normave morale të jetës së njeriut, Samiu mbetet i pa sqaruar deri në fund mbi shpjegimin e fesë për faktin se luhatet midis idealizmit e materializmit. Megjithatë, ai lënë përshtypjen e një studiuesi të fesë, i cili niset nga një empirizëm i simplifikuar se njeriu kur lind nuk trashëgon asgjë; natyra e tij varet dhe formohet plotësisht nën ndikimin e rrethanave shoqërore.
Literatura:
Dr. Borisllav Lorenc, Psihologija i filozofija religije, Beograd, 1938.
Ekrem Sarikçioglu, Historia e feve prej fillimit deri sot, Shkup, 2007,
Ferdi Kamberi, Fundamentalizmi i religjioneve të mëdha monoteiste dhe globalizmi, Shkup, 2015.
Hubert Knoblauch, Sociologija religije, Zagreb, 2004.
Toni Bler, Feja në periudhën e globalizmit, Gazeta “Koha ditore”, Prishtinë, 31.12.2011.
Richard Dawinks, Deluzioni Zot, Prishtinë, 2014.
Jashar Rexhepagiq, Sami Frashëri dhe pedagogjia e Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 2005.
Sami Frashëri, Njeriu, Shkup, 2004.
Sami Frashëri, Përsëri njeriu, Shkup, 2004.
Sami Frashëri, Mitologjitë, Shkup, 2994.
Fatos Tarifa, Politika si gramatikë dhe metaforë, Tiranë, 2014.
Fehmi Agani, Në rrjedha të mendimit sociologjik, Prishtinë, 1990.
Emile Dukheim…Format elementare të jetës fetare, Tiranë, 2000.
S Sami Frashëri, Qielli, Shkup, 2004.
Sami Frashëri, Anekdota, Shkup, 2004.
Sami Frashëri, Përpjekjet e heronjve në përhapjen islamit, Shkup. 2004.
Osho, Zoti që asnjëherë nuk ka ekzistuar, Tiranë, 2015
Zymber Bakiu, Sami Frashëri, Vepra 8, Prishtinë, 1984.
Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Shkup, 2004.
Erih From, Psikoanaliza dhe feja,Tiranë, 2015.
Prof. Dr. hafëz Hajredin Hoxha, Doktrinat e Tesfirit në Trojet Shqiptare, Tetovë, 2010,
Zija Xholi, Sami Frashëri, Monografi, Prishtinë, 1978.
Danko Gërliq, Leksikon i filozofëve, Prishtinë, 1986.