Ndërrmarrja biznesore private “N’Suss” është një nga vendet e pakta në fushën e gastronomisë e cila nuk i ka ngritur çmimet.
Trendi i rritjes së çmimeve e ka përcjellë çdo fushë në Kosovë, duke u nisur që nga produktet esenciale si mielli, vezët, vaji, sheqeri dhe të tjera. Kjo ka bërë që shumë nga bizneset nga fusha e gastronomisë posaçërisht t’i rrisin çmimet.
Këtu bën përjashtim biznesi i lartpërmendur “N’Suss” i cili gjendet në qytetin e Prishtinës, pas restorantit “Papirun”.
Fol Drejt ka kontaktuar me pronarin e këtij biznesi, i cili deshi të mbetej anonim. Ai punon në “N’Suss” bashkë me bashkëshorten e tij, në prononcimin për FolDrejt ai ka thënë se puna e tyre po bëhet në radhë të parë për studentët dhe se rritja e çmimeve ua ka vështirësuar atyre mbijetesën dhe arritja e mbulimit të shpenzimeve bazike është bërë shumë sfiduese.
I pyetur rreth kësaj çështjeje, se si e ka parë pronari i “N’Suss” rritjen e çmimeve dhe pse nuk i ka ndryshuar ato ai është shprehur:
“E para nuk është dashur të rriten çmimet, kjo ka shkaktuar panik te qytetarët, e dyta ne jemi burrë dhe grua, nuk kemi me pagu punëtorë dhe nuk i kemi ngritur çmimet pasi që ende kemi mundësi me i mbulu shpenzimet edhe kështu, jemi vetëprodhues të materialeve dhe çdo çmim e shikoj si shkon në treg, ku është më lirë aty furnizohem, kjo ka bërë që çmimet t’i mbaj të njëjtja, ende, përndryshe do të ishte problem”.
Vendet ku pronari i “N’Suss” furnizohet përfshijnë më së tepërmi vendet ku mbahen perimet, furnizimet me shumicë në vendin tonë.
Ai gjithashtu është pyetur nëse kjo mosngritje e çmimeve ka ndikuar në rritjen e numrit të klientëve dhe ka pohuar se ky numër ka shënuar rritje.
“Numri i klientëve është rritur, madje ka të atillë që thonë se po të mos ishit ju ne nuk do të kishim vend ku do të mund të hanim, për shkak se çmimi qoftë edhe 20 cent më lirë luan rol. Këtu vijnë nxënës e studentë, ne në një farë forme për ta punojmë, sado që nga kjo sigurisht e sigurojmë edhe mbijetesën”, është shprehur ai.
Fol Drejt gjithashtu ka tentuar ta kontaktojë Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës për të biseduar rreth kësaj çështjeje, nga përgjigjia e dhënë “Ai që jep prononcime është i zënë, ju kontaktojmë më vonë”, në fakt nuk është marrë asnjë përgjigje rreth çështjes së ngritjes së çmimeve.
Nëse kjo çështje shihet jashtë rritjes së çmimeve në gastronomi që nga muaji i kaluar ku çmimet shënuan një dyfishim, u gjobitën shumë biznese dhe gjobat e shqiptuara bënë që fluksi i çmimeve të bie. Për këtë patën reaguar në radhë të parë qytetarët, mediat e vetëm pas disa ditësh edhe Qeveria e Kosovës dhe deputetë të partive të pozitës dhe opozitës duke i quajtuar mashtruese të gjitha qendrat tregtare në të cilat edhe furnizohen qytetarët.
Që nga viti 2002 e deri në vitin 2022, është pikërisht viti i fundit ky gjatë të cilit pati një ngritje enorme të çmimeve dhe të cilën ndërmarrjet e mëdha tregtare e përdorën si formë për të përfituar më tepër.
KËTU mund t’i shihni ndryshimet e çmimeve që nga muaji maj i vitit 2002 deri në shkurt të vitit 2022, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Çështja e ngritjes së çmimeve në fakt nuk ka përfunduar. Edhe para dy ditësh u shënua sërish rritje në çmimin e vajit ku çmimi shkoi në 2.99 euro për litër.
Duhet theksuar se rritja e çmimeve ndonëse nuk po ndodh vetëm në Kosovë, akterë të ndryshëm përmes rrjeteve sociale e kanë parë atë më problematike për Kosovën në krahasim me vendet e tjera, për shkak se nuk ka pasur rritje pagash në asnjë sektorë, andaj me të ardhurat që një qytetar i Kosovës i ka në çdo muaj, sipas tyre këto çmime po bëhen të papërballueshme./ZamiraRexhepaj/FolDrejt/
Lexo edhe: