Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor i presidentit amerikan Joe Biden për koronavirusin, tha se është optimist se vendi mund të rikthehet në një shkallë normaliteti deri për Ditën e Pavarësisë më 4 korrik, por se megjithatë duhet të merren masa paraprake gjatë kësaj kohe për të shmangur rritje të re të infeksioneve.
Dr. Fauci tha në disa intervista se ai beson se Shtetet e Bashkuara do të kenë doza të mjaftueshme deri në fund të majit që çdo amerikan që dëshiron të mund të vaksinohet.
Biden tha javën e kaluar se jo vetëm të moshuarit por të gjithë të rriturit, duhet të kenë të drejtën të marrin vaksinën duke filluar nga 1 maji.
“Mendoj se parashikimi për 4 korrikun është mjaft i arsyeshëm,” i tha Dr. Fauci emisionit “Fox News Sunday”.
Por ai gjithashtu paralajmëroi se pandemia paraqet ende rrezik në Shtetet e Bashkuara, me numrin e rasteve të reja që ka mbetur në 50,000 ose 60,000 në ditë gjatë javës së fundit.
Ai tha se ritmi në rritje i vaksinimeve mund të ruhet dhe madje të rritet ndërsa SHBA hap më shumë qendra shëndetësore të komunitetit për vaksinat dhe më shumë farmaci fillojnë të japin vaksina.
“Nuk është absolutisht koha për të deklaruar fitoren,” i tha zoti Fauci televizionit Fox. “Gjithmonë ekziston rreziku i kthimin të rritjes së rasteve.”
Fauci i tha CNN-it se së shpejti do të dalin udhëzime të reja se sa e sigurt është për njerëzit që janë vaksinuar të udhëtojnë ose të jenë në një turmë njerëzish, ose që fëmijët të kthehen në shkollë duke mbajtur një- metër distancë në vend të dy metrave.