Laboratori farmaceutik i AstraZeneca njoftoi të dielën se hetimi nuk gjeti prova të një rreziku në rritje të mpiksjes së gjakut tek njerëzit e vaksinuar me vaksinën e saj antiCOVID-19.
“Analiza e kujdesshme e të gjitha të dhënave të disponueshme të sigurisë nga më shumë se 17 milionë njerëz të vaksinuar në BE dhe Britaninë e Madhe me AstraZeneca kundër COVID-19 nuk ka treguar prova të një rreziku në rritje të embolisë pulmonare, trombozës së venave të thella ose trombocitopenisë”, thekson kompania.
“Rreth 17 milionë njerëz në BE dhe Britaninë e Madhe kanë marrë vaksinën tonë deri më sot, dhe numri i mpiksjes së gjakut të konfirmuar në atë popullsi është më pak se qindra që priten në popullatën e përgjithshme”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga drejtoresha Anne Taylor.
Italia është bashkuar kështu me një grup prej të paktën pesë vendeve evropiane që kanë ndaluar përkohësisht vaksinimin me vaksinën AstraZeneca.
Danimarka, Norvegjia dhe Islanda kanë ndaluar vaksinimet për shkak të problemeve të mpiksjes së gjakut dhe Austria ndaloi së përdoruri një seri të caktuar të vaksinave AstraZeneca javën e kaluar ndërsa po hetonte një vdekje të shkaktuar nga mpiksja.
Agjencia Evropiane e Barnave ka përcaktuar se nuk ka indikacione të një lidhjeje shkakësore, e cila u përsërit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten.