Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, këtë vit do të jap 200 mijë euro për të financuar fondin librar për 31 biblioteka anekënd Kosovës. Të gjitha bibliotekat do të marrin mjete financiare në mënyrë të barabartë dhe pa dallime sipas vendimit nga Ministria e Kulturës, shkruan Fol Drejt.
Nga Gëzim Olluri
Për vitin 2023, Ministria e Kulturës do të jap 200 mijë euro për ta pasuruar fondin librar të bibliotekave. Ministria që drejtohet nga Hajrulla Çeku, do t’i shpërndajë mjetet në mënyrë të barabartë për të gjitha bibliotekat, nga 6451 euro për secilën bibliotekë.
“Qasje dhe politikë e re për librin. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u zhvillua mbledhja e nënshkrimit të marrëveshjes të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe 31 Bibliotekave Komunale. Përmes tyre ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 6541 euro për furnizim me fond librar të çdo biblioteke”, shkruan në njoftimin e MKRS-së.
Sipas ministrit Hajrulla Çeku, mbështetja për librin këtë vit është një milion euro. Ndër të tjera, në njoftimin e ministrit Çeku thuhet: “Para pak ditësh hapëm thirrjen për blerjen e librave për bibliotekat tona në vlerë 500 mijë euro. Sot ndamë edhe 200 mijë euro të tjera. Mbi 6400 euro për secilën bibliotekë komunale për blerje vetanake. Buxheti për librin këtë vit është një milion euro”.
Kujtojmë që në të kaluarën, bibliotekat komunale nuk janë financuar në mënyrë të barabartë nga Ministria e Kulturës. Nga të dhënat e bibliotekave figuronin dhjetë biblioteka që merrnin shuma nga MKRS prej 1500 eurosh. Disa të tjera i merrnin deri në dy mijë euro. Të tjera biblioteka merrnin deri në tre mijë e katër mijë euro. Të tjerat nganjëherë nuk merrnin fare financime.
Të njëjtat pabarazi e të njëjtat dallime paralelisht me MKRS-në i kanë bërë edhe një pjesë e komunave kur është puna për financime. Dhjetë biblioteka nga qytete të ndryshme në katër vitet e fundit nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare nga nivelet komunale.
Duhet kujtuar që në periudhën nga 1990 e deri më 1999, sipas të gjitha të dhënave janë mbyllur, shkatërruar e djegur rreth 600 biblioteka të të gjitha llojeve në Kosovë nga ish-okupatori serb. Kjo është bërë nga 1 tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999. Ndërsa, sipas raportit nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” dokumentohet se në vitet 1998-1999, ushtria kriminale serbe në Kosovë i shkatërroi dhe i dogji 175 biblioteka dhe 1 milion e 665 mijë e 496 libra me artileri të rëndë ushtarake. /FolDrejt/