Në një intervistë, dhënë për revistën boshnjake “STAV”, kryetari i Alternativës në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi, ka komentuar kompromiset e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, duke i cilësuar këto kompromise si të logjikshme.
Pjesë të shkëputura të kësaj interviste, që në qendër kanë Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën e Serbinë, i ka publikuar vetë Gashi përmes një postimi në facebook, transmeton Fol Drejt.
“Vlerësoj se Republika e Maqedonisë së Veriut me guxim dhe vendosmëri ka ecur në rrugën e saj. Secili kompromis nuk është i lehtë për t’u pranuar, por kur ndërtoni shtet, kompromiset janë të logjikshme. Anëtarësimi në NATO dhe hapja e bisedimeve për në Bashkimin Evropian, Maqedonisë së Veriut ia ka rrumbullakuar rrugën e shtetësisë: tranzicioni ka përfunduar, janë hapur mundësitë dhe perspektivat për zhvillim në të gjitha sferat, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në infrastrukturë, arsim, shkencë, kulturë dhe në të gjitha planet e tjera zhvillimore. Nëse tashmë në aspektin e sigurisë, me anëtarësimin në NATO, e kemi arritur qëllimin, nëse tashmë jemi shumë afër anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, mendoj se ia ka vlejtur. Nëse shikojmë me llupë në drejtimin e Evropës Lindore, jemi të bindur se kemi zgjedhur rrugën më të mirë, madje e kemi bërë këtë në momentin e fundit. “, ka deklaruar kryetari Gashi për revistën boshnjake.
Gashi ka komentuar edhe vendin e Kosovës në OKB, NATO e BE, duke u shprehur optimist se një ditë do të ndodhë.
“ Zgjidhja e problemit të Kosovës është një çështje komplekse. Kosova një ditë do ta ketë vendin e saj të merituar në OKB, do të jetë anëtare e NATO-s dhe Unionit Evropian. Është e qartë se rruga e Kosovës drejt pavarësisë, njohja dhe pranimi i saj është më e vështirë se për vendet e tjera, por ky është fati i “Tjetrit”. Për mua nuk është pyetja se a do të ndodhë kjo, por vetëm kur. Kjo është vështirë e parashikueshme edhe pse pritjet e mia janë optimiste, sidomos pas ngjarjeve të reja në kufijtë e Evropës Lindore, ku Perëndimi u bind se ky problem nuk mund të prolongohet edhe më.”, deklaroi Afrim Gashi.
Gashi ka komentuar edhe rreth çështjes nëse kjo qeveri aktuale e Maqedonisë do të mund ta çojë mandatin e saj deri në fund, duke konsideruar sipas Gashit se nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë.
“Jam i bindur se me hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian, ne e kemi lënë prapa vetes krizën politike në Maqedoninë e Veriut. Ky është lajm i mirë, për të mos thënë historik, por është e sigurt se ky është një lajm i pritur një kohë të gjatë. Personalisht ndjehem i përmbushur me faktin se me futjen e Alternativës në Qeveri kemi mundësuar një shtet stabil. Kur më pyesni se a do të zgjasë Qeveria deri në fund të mandatit, mund t’ju them se nuk ka asnjë arsye kjo gjë të mos ndodhë”, ka thënë Gashi.
Gashi ka komentuar edhe pozicionin “neutral” të Serbisë, duke potencuar se Serbia nuk mund ta vazhdojë këtë pozicion.
“Qëndrimi i Serbisë që të mos futet nën ombrellën e NATO-s i krijon asaj mundësi për armatim të pakontrolluar, furnizim me armë jo-standarde për rrethanat tona, bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën në aspektin e sigurisë, që nuk është problem vetëm për fqinjët e saj, por ky është kancer në trupin e Evropës dhe në kufijtë e NATO-s. Mendoj se, pas përfundimit të krizës së Ukrainës, Serbia duhet të marrë vendim të qartë. Nuk mund të qëndrojë edhe më në dy karrige: t’i shfrytëzoje resurset e Perëndimit dhe të furnizohet me armë nga Putini.”, është shprehur Gashi
“Serbia duhet ta kuptojë se strukturat e saja shtetërore dhe ushtarake të viteve të nëntëdhjeta kanë kryer gjenocid mbi boshnjakët dhe shqiptarët dhe duhet të gjejë forcë për të kërkuar falje, pastaj duhet ta njohë Kosovën dhe të mos bëhet pengesë që Bosnja dhe Hercegovina të bëhet një shtet i fuqishëm, funksional dhe i barabartë. Kur kjo gjë të ndodhë, jam i bindur se Serbia do të dalë nga pozita e neutralitetit dhe do të bëhet anëtare e NATO-s dhe Unionit Evropian.”, ka shtuar ai./FolDrejt/