Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, ka hedhur kritika ndaj qeverisë nën udhëheqen e Albin Kurtit, transmeton Fol Drejt.
Gashi ka komentuar incizimet e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës me shefin e grupit parlamentar të Listër Serbe, Sllavko Simiq, duke thënë se i ka zhvilluar këto bisedime me ‘izen’ e Kurtit.
“Kjo ishte përgjigja që e përfshinte kryeministrin në këtë komunikim, i cili përveç që është kriminal, është edhe komunikim kundër çdo vlere që përfaqëson shteti i Kosovës”.
“Kryeministri dhe qeveria e tij dallohen për skandale në vazhdimësi; skandali i komunikimit me një person në kërkim ndërkombëtar për vrasje nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe në listën e zezë të ShBA-së. Pra, me ‘izen’ e tij, është një skandal shumë i rëndë dhe ky kuvend nuk mund ta përballojë një gjë të tillë”, ka thënë Gashi.
Gashi ka komentuar njëherit edhe marrëveshjen e Sllovakisë, duke thënë se ka më pak shtet në veri të Kosovës.
“Skandali tjetër është marrëveshja që u bë në Sllovaki, nga zëvendëskryeministri i cili thotë se duhet të tërhiqen 25% brenda 2 ditësh të forcave speciale në veri dhe 25% në vazhdimësi”.
“Sot ka më pak shtet në veri. Sot ka më pak raporte me partnerët ndërkombëtarë, të paktën në bazë të deklaratës së kryeministrit dje, i cili tha se Kosova është palë e pabarabartë në dialog si pasojë e sanksioneve”, ka thënë Gashi më tej./FolDrejt/