Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka komentuar incizimet mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, duke e cilësuar si skandalin më të madh politik të pushtetit.
Sipas Ismailit, në këto incizime dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe, transmeton Fol Drejt.
”Dëshmohet qe ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur ne listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se s’kanë as koalicion e as bashkëpunim. Dëshmohet edhe një herë mendësia e këtij pushteti, që kurdo në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi – siç është energjia në veri, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Milan Radojçiqin, ose me bekimin e tij”, ka thënë ndër tjerash Ismaili.
Sipas Ismailit, duke e mbajtur të fshehtë këtë bashkëpunim dhe duke i gënjyer qytetarët se asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunim me ta është një tjetër hipokrizi e pushtetit aktual.
”Bashkëpunimi me një parti që përfaqeson qytetarët serbë në Kuvendin e Kosovës, në vete nuk është problem. Por, duke e mbajtur të fshehtë këtë bashkëpunim, e duke i gënjyer qytetarët se asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunim me ta, është një tjeter hipokrizi e pushtetit aktual. Kryeministri Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë. Tendenca për ta normalizuar koordinimin dhe komunikimin me Milan Radojçiq veçse e thellon dhe e bën bashkëpjesëmarrëse tërë Qeverinë në këtë skandal. Milan Radojçiq është një person i kërkuar nga Policia e Kosovës, si për Mimoza Kusarin, edhe për Albin Kurtin, dhe nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme e normale. Propaganda e shfajësimi nuk janë e vërteta. E vërteta është se biseda me Radojçiqin ka ndodhur, është pranuar nga Mimoza Kusari-Lila, dhe çdo gjë perpos llogaridhënies para qytetarëve dhe drejtësisë është tentim për të vazhduar fshehjen e së vërtetës”, ka shtuar më tej Ismaili./FolDrejt/