Deputeti nga radhët e LDK-së dhe njëherit ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot është mbajtur seanca ndaj personit i cili e ka kanosur Hotin, me ç’rast ka treguar se ka pranuar marrëveshjen që i dënuari të kontribuojë në njërën nga organizatat bamirëse në vend, përcjell Fol Drejt.
Lidhur me këtë rast, Hoti ka shprehur shqetësimin për gjuhën e urrejtjet që sipas tij po përdoret tash e shumë vite në rrjete sociale, për më tepër, Hoti ka kritikuar partinë në pushtet për këtë ‘fenomen’.
“Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese.
Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.”, ka shkruar Hoti në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook.
“Kërcënimi i bërë nuk është personal por si zyrtar i shtetit për qëndrimet politike që kam si deputet dhe ish-Kryeministër. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin, sepse qëndrimet për të vërtetën e bazuar në fakte dhe kauza për të mirën e vendit dhe popullit, nuk do të mund ta ndalin me kërcënime dhe me asgjë tjetër.
Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë.
Falënderoj policinë dhe gjykatën për punën e tyre dhe përkushtimin për të sjellë drejtësi.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin tonë!”, ka shtuar Hoti më tej./FolDrejt/