”Sapo të bëhen 30 euro ndërpre sepse nuk kemi më shumë para”, i tha arkatares të supermarketit një grua që dukej rreth të 40’tave – çaji i rusit kishte kaluar në faturë, por jo edhe sheqeri, duhej të kthehej mbrapsht. Si do të jetë çaji pa sheqer? I ithtë – ndoshta shija e çajit të kësaj familjeje e tregon tmerrësisht jetën në të cilën kalon një familje e zakonshme kosovare – çdo ditë.
Nga Sefer Zogaj
Burri saj e uli kokën, u shkuq, jo vetëm nga turpi i varfërisë, por më shumë nga kontestimi i burrërisë. Burri i varfër glorifikohet në leterësi, por nënçmohet në shoqëri, madje edhe nderi i tij – një person i parespektuar ka humbur gjithçka, pos jetës që ngjan me çajin pa sheqer.
Dhe këtë jetë është i gatshëm ta jap për mbrojtjen e atdheut, por jo vetëm të atdheut – në faturën e jetës do ta përfshinte nderin e lavdinë – të cilën gjatë jetës ia vodhën njerëzit sepse s’kishin interes prej tij, e pas rënies si dëshmor ia kthejnë nderin e lavdinë që të përfitojnë mbi emrin e tij.
Jo kot mendoj se leterësia dhe historia kanë një marrëveshje të shkruar ku fleta është gjaku e shkronjat mbi të janë të shënuara me lotët si laps. Leterësia lavdëron varfërinë e historia i përdor ushtarët e varfër për të mbushur faqet e errëta të saj – të improvizuara si krenari popullore.
Për këtë, pushtetet botërore e lokale nuk janë të interesuara të zhdukin varfërinë – pa të humbin ushtarët, rrjedhimisht edhe pasurinë e mbledhur në emër të këtyre ushtarëve.