Hava Maloku, e njohur për publikun si shqiptarja e vetme që punon në LinkedIn, ka bërë një rrugëtim sa të suksesshëm, po aq motivues për shumë vajza e gra shqiptare. Hava shkollën fillore dhe të mesme i ka mbaruar në Prishtinë, përkatësisht në filloren “Ismail Qemali” dhe të mesmen “Xhevdet Doda”. Nivelin e studimeve Bachelor e ka mbaruar në Graceland University, nivelin Master në University of San Francisco School of Management, kurse ka doktoruar në Golden Gate University në Administrim Biznesi dhe Marketing në San Francisco. Hava ka mbi 14 vjet përvojë në marketing, marketing dixhital dhe marketing të produkteve. Në LinkedIn punon thuajse që 8 vjet, ndërsa së fundmi është emëruar si menaxhere e lartë e marketingut në këtë kompani.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
A.Mehmetaj: Keni bërë një rrugëtim motivues. Nga shkolla fillore “Ismail Qemali” dhe e mesmja “Xhevdet Doda” në Prishtinë e deri në doktoraturë te “Golden Gate University” në San Francisco. Sa ka qenë i vështirë ky rrugëtim?
H.Maloku: Udhëtimi ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm. Por me punë dhe vullnet arrihet gjithçka. Duhet me qenë i gatshëm me punu shumë. Unë jam përgatitur prej se kam qenë e vogël, kam lexu shumë, kam marrë pjesë në aktivitete në shkollë, kam mësu gjuhën angleze. Duhet me dhanë ma shumë se 100% në secilën punë, me besu ne vete dhe mos me i dëgju të tjerët anash se a mundesh apo jo.
A.Mehmetaj: E keni përjetuar edhe luftën në Kosovë, ku jeta ishte shumë më e varfër materialisht dhe më e vështirë se sot. Ju motivoi ajo pjesë e jetës për të punuar më shumë apo la trauma te ju?
H.Maloku: Motivi kryesor kanë qenë prindërit e mi. Ata kanë sakrifiku shumë që ne, fëmijët, me arritë këtu ku jemi. Jam fëmiu i madh i një familje të madhe që përbëhet nga 6 fëmijë dhe dy prindërit. Të dy prindërit janë me profesion arsimtarë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa ne të gjashtë fëmijët kemi studiuar në SHBA në fusha të ndryshme. Një vëlla dhe një motër janë rikthyer të kontribuojnë në Kosovë në fushën e biznesit, një motër vazhdon me studime në biokimi në Cyrih dhe vëllai e motra e vogël janë në përfundim të magjistraturës për Shkenca Kompjuterike në San Francisko. Prindërit e mi nuk kanë pasë shumë kapital apo pozita kyçe në Kosovë por na kanë rritur me shumë dashuri të madhe dhe na kanë shty të mendojmë se me punë arrihet gjithçka. Edhe para lufte kur situata në Kosovë ka qenë shumë e tensionuar na kanë këshillu me u përgatitë sepse mundësia vjen vetëm një herë në jetë e nëse nuk jemi gati nuk mund ta kapim.
A.Mehmetaj: Kodi i shtetit të Kosovës +383 tashmë është në dispozicion në platformën LinkedIn. Ky është një sukses i madh për shtetin tonë të ri. A ishte e vështirë të arrihet kjo dhe cili ishte roli juaj në këtë sukses shtetëror?
H.Maloku: Ka qenë një proces i gjatë për arsye se është dashtë me u futë në listë të prioritizimit. Shumë herë kam trokitë në dyer dhe nuk janë përgjigjur për shkak se dihet LinkedIn është kompani e madhe me mbi 21,000 punëtorë e për me gjetë ekipin adekuat që mirret me këtë punë është dashtë kohë. Por edhe kur i kam gjetë nuk më janë përgjigjur menjeherë. Andaj kam ardhë në një pikë që i kam shkru direkt Chief Technology Officer apo Shefit Kryesor të Teknologjisë edhe më ka ndihmu ai prej aty. I falënderoj të gjithë ekipin e inxhinierisë për punën e palodhshme, si dhe disa anëtarë të LinkedIn në Kosovë që e kanë ba testimin.
A.Mehmetaj: Keni prejardhje nga një shtet i vogël si Kosova, a keni hasur në vështirësi duke u bazuar në këtë fakt?
H.Maloku: Jo aspak, s’ka pasë rëndësi prej nga vij, ka pasë rëndësi a punoj dhe a e respektoj ligjin. Ndoshta i vetmi ndryshim mes meje edhe dikujt që vjen prej një vendi më të madh është se njerëzit në përgjithësi nuk e njohin shumë Kosovën. Por kjo ka qenë një rast i mirë që unë me folë ma shumë për Kosovën tonë të dashur dhe me i tregu botës se kush jemi ne.
A.Mehmetaj: Jeni gjithashtu edhe praktikuese e fesë islame. A jeni paragjykuar nga njerëzit kur ju kanë parë me mbulesë islame?
H.Maloku: Në Amerikë secili respektohet dhe vlerësohet për punën që bën e jo për prejardhjen, fenë apo racën. Në kompaninë që punoj kemi dhomën e lutjeve, ku mund t’i kryejmë obligimet e namazit. Edhe për ushqim kemi shenja të ndryshme se çfarë përbërës ka që të jetë sa me konform besimeve tona. Në Amerikë të pranojnë ashtu siç je, në fakt të çmojnë edhe me shumë nëse je vetvetja.
A.Mehmetaj: Përveç në Amerikë, ju e keni parë për së afërmi edhe shoqërinë kosovare këtu. A mendoni që këtu, edhe pse shumicë myslimane, ka paragjykime për vajzat me mbulesë më shumë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëse po, pse mendoni që ndodh kjo?
H.Maloku: Mendoj që ende ka paragjykime. Por është më mirë ndoshta se disa vite më parë. Duhet kohë me ndërru përceptimi i njerëzve, ka lanë gjurmë koha e komunizmit kur feja ka qenë e ndaluar dhe është pa si diçka primitive. Besoj që në vitet e ardhshme do të ndryshojë edhe më tepër për të mirë. Por këtu vlen të theksohet se edhe vajzat me mbulesë nuk duhet të ngurrojnë aspak për me tregu veten se kush janë. Me vetëbesim dhe punë të madhe do të mund ta ndërrojmë edhe përceptimin e njerëzve.
A.Mehmetaj: Për pozitën ku punoni kanë aplikuar afërsisht 1,500 persona dhe jeni përzgjedhur vetëm ju. Gjithashtu jeni e vetmja shqiptare nga 21,000 punëtorët që ka LinkedIn. Kështu jeni bërë motiv për sukses te shumë vajza dhe gra shqiptare. Çfarë i këshilloni ato nëse ëndërrojnë një karrierë si ju?
H.Maloku: Unë do ta ndaja mesazhin tim për të rinjtë në tri pika:
Vendosi vetes qëllime të larta në jetë. Qëllimet e larta në jetë do të ju shërbejnë si motivues për jetën tande. Vendosja e qëllimeve ndihmon të qëndroni të motivuar dhe ju japin një fokus në jetë. Gjithashtu ju ndihmojnë ta mposhtni zvarritjen e punëve. Këtu vlen të theksohet edhe menaxhimi i tyre. Qëllimet e mëdha duhet të ndahen në ato më te vogla deri në ato ditore. P.sh. sot kam qëllim ta lexoj një faqe të një libri. Nëse çdo ditë e lexoj nga një faqe në fund të vitit kam lexu 365 faqe. Ne shqiptarët e kemi një thënie “pika, pika mbushet pusi”. Nëse qëllimet e mëdha i ndajmë në të vogla, gjithçka është e arritshme. Nuk ka qëllime të paarritshme.
Sa ma shumë networking. Networking është proces i bashkëveprimit me të tjerët për të shkëmbyer informacion dhe për të zhvilluar kontakte profesionale ose sociale. Networking apo lidhja me njerëz kontribuon në mirëqenien tuaj sociale, çon në shkëmbimin e ideve dhe ju ndihmon të takoni njerëz në të gjitha nivelet profesionale. Kjo vlen si për shkollë, ashtu edhe për punë. Nuk është vetëm në Kosovë që e marrin punën me të “njofshëm”. Edhe në Amerikë ndodh po e njëjta gjë. Nëse krijoni atë rrjetin tuaj profesional, shumë më lehtë përparoni.
Ec me kohën. Nëse nuk mësojmë dhe avancohemi çdo ditë, shumë lehtë dalim nga tregu. Gjërat që kanë funksionu para 10 viteve nuk funksionojnë më. Puna po ndryshon dita ditës. Nuk mjafton vetëm me kry një fakultet edhe je i aftë për punë. Në fakt shkolla ta jep një shprehi pune, por jo më shumë. Shumicës prej nesh as që na kujtohen gjërat që i kemi mësu në shkollë. Duhet të jemi të hapur të mësojmë gjëra të reja si në punë dhe si jashtë saj. Vetëm në atë mënyrë përparojmë. /FolDrejt/
Lexo edhe:
Qerim Ondozi: Përkthimi është borxh