Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti i ka shkruar letër Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, duke i kërkuar që të mos e dekretojë guvernatorin e ri, pasi që sipas tij, procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka pasur parregullsi, transmeton Fol Drejt.
Ua kujtojmë që deputetët e Kuvendit të Kosovës me 56 vota e kanë zgjedhur Ahmet Ismailin si guvernator të ri të BQK-së, derisa kundërkandidati i tij, Lulzim Ismajli ka marr vetëm katër vota.
Sipas Mehmetit, shkeljet kanë ndodhur duke filluar nga Bordi i BQK-së, pabarazia dhe mosndërmarrja e hapave të duhur nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me rastin e evidentimit të shkeljeve.
“Shkeljet që kanë ndodhur gjatë procedurës rekrutuese, duke filluar nga ajo që Bordi Drejtues i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin e dytë për pozitën e njëjtë pa nxjerrë vendimin për anulimin e konkursit të parë, po ashtu diskriminimi dhe pabarazia që ka ndodhë në fazat e procedurës, e vlen të përmendet edhe mosndërmarrja e hapave adekuatë nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me rastin e evidentimit të shkeljeve flagrante dhe mospërfilljes së procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi e po ashtu tërheqja nga monitorimi i procesit i Komisionit Britanik, duke më lënë pa zgjidhje tjetër, ju drejtohem juve si niveli më i lartë i vendit që të mos e bëni dekretimin e propozuar për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës pasi që dekretimi i tij prej anës suaj do të ngarkonte edhe ‘shkeljen’ e radhës në këtë proces” – ka thënë Mehmeti.
Mehmeti për Telegrafin e ka pranuar se i ka dërguar letër presidentes, ndërsa shpreson në qëndrimin objektiv të saj karshi çështjes./FolDrejt/