Ish-ministri i Diasporës në Maqedoninë e Veriut ka bërë një reagim në profilin e tij në Facebook.
Ai ka shprehur se qëndrimi i tij për diasporën si ministër i këtij sektori ishte i fokusuar në dy dimensione. Veç kësaj, ai ka shkruar edhe për Qeverinë e re të LSDM – BDI – ASH.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
E dashur diasporë, Qeveria e re e rikonstruar LSDM – BDI – ASH pavarësisht se ekziston një strategji nacionale për diasporë, synimi i të cilës është stagnimi i migracionit, lidhja e diasporës me shtetin amë dhe thithja e investimeve, mesa duket NUK JU PARASHEH në prioritetet e saj strategjike.
Qëndrimi im një vjeçar si Ministër në krye të institucionit bazë për diasporë ishte i fokusuar në dy dimensione:
Bashkëpunimi i ngushtë me shumë institucione të nivelit Qendror dhe Lokal, me Agjenci dhe Drejtori, me Ambasada të huaja në vend dhe me Organizata Ndërkombëtare dhe Joqeveritare, me qëllim implementimin e Strategjisë Nacionale për Diasporë dhe
Bashkëpunimi me Përfaqësitë Diplomatike – Konsullore dhe Ambasadat e vendit tonë nëpër botë, me rrjete të ndryshme biznesi, me organizata të Shoqërisë Civile, Shoqata kulturore dhe Qendra edukative dhe fetare, me Këshilla koordinues të mësuesve për mësim në gjuhën amtare, klube sportive, e kështu me radhë, që veprojnë në diasporë.
Gjatë këtyre bashkëpunimeve njoha njerëz të mrekullueshëm me vullnet të mirë për të kontribuar për vendin e tyre dhe kjo më dha mundësinë që të krijojë një rrjet (network) të fuqishëm kudo në botë ku kemi diasporë.
Unë dua dhe e kam obligim që këtë potencial të mos e neglizhojë por të njëjtën ta orientoj përsëri tek ju dhe për ju!
Andaj ju lutem, për çdo hall, problem, ankesë apo pengesë të karakterit institucional apo administrativ që ndërlidhet me shërbimet diplomatike – konsullore në shtetin ku punoni, apo pengesa gjatë shërbime të ndryshme administrative në periudhën e ardhjes suaj në RMV të mos hezitoni për të më kontaktuar.
Ju garantoj që do bëj gjithçka që kam në dorë që zëri juaj të dëgjohet!
Me respekt,
Xhemail Çupi, ish Ministër i Diasporës në RMV! /FolDrejt/