Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ai personalisht u kërkoi zyrtarëve amerikanë që të heqin dorë nga ndjekja penale e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.
“Ajo që është shumë është shumë”, tha Albanese.
Assange, një shtetas australian 51-vjeçar, është në gjyq në SHBA për lëshimin e më shumë se 700,000 dokumenteve të klasifikuara që nga viti 2010 në lidhje me aktivitetet ushtarake dhe diplomatike të SHBA-së, veçanërisht në Irak dhe Afganistan.
“Ka pak kohë që kam përcjellë qëndrimin tim se shumë është shumë. Është koha që ky rast të marrë fund”, tha Albanese në fjalimin e tij në Parlamentin Australian.
“Unë personalisht e ngrita këtë çështje me përfaqësuesit e qeverisë amerikane. Pozicioni im është i qartë”.
Ai shtoi se nuk mbështet fare një numër të madh të veprimeve të Assange, por pyeti veten se cili është interesi i një ndjekjeje ligjore që mund të zvarritet me vite.
Assange, një shtetas australian, ka zhvilluar një betejë ligjore prej vitesh në gjykatat britanike për të shmangur ekstradimin në SHBA, ku ai përballet me 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri.
Prokurorët amerikanë pretendojnë se Assange ndihmoi analisten e inteligjencës ushtarake amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllograme të klasifikuara diplomatike dhe dokumente ushtarake, të cilat u publikuan më vonë nga WikiLeaks.
Mbështetësit e Assange thonë se ai është një gazetar që ekspozon sekretet, duke përfshirë krimet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.
Një gjykatë në Londër vendosi në prill se Assange mund të ekstradohej në SHBA. Sekretarja e Brendshme britanike Priti Patel nënshkroi një urdhër më 17 qershor për miratimin e ekstradimit të Assange. Assange apeloi vendimin në korrik.
Assange u arrestua nga policia britanike në vitin 2019, pas shtatë vitesh qëndrimi në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ai aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë së lartë jashtë Londrës në pritje të një seance dëgjimore për apelin e tij kundër vendimit të qeverisë britanike për ekstradimin e tij te amerikanët.
Albanese e krahasoi trajtimin e Assange me veprimet ndaj Chelsea Manning, dënimi i së cilës me 35 vjet burg për vjedhjen e dokumenteve të klasifikuara të publikuara në WikiLeaks u zbut në vitin 2017 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama.
Chelsea Manning tani është e lirë të marrë pjesë në aktivitete në shoqërinë amerikane, tha kryeministri i Australisë./FolDrejt/