Kryeministri francez Edouard Philippe ka thënë se bllokimi i vendosur për të frenuar shpërndarjen e koronavirusit ka shpëtuar dhjetëra mijëra jetë njerëzish, por se ka ardhur koha për të lehtësuar kufizimet për të parandaluar një kolaps ekonomik.
Numri i vdekjeve në Francë ka arritur në mbi 23,000 gjatë ditës së hënë, duke u radhitur kështu në vendin e katërt në botë për shifrën e vdekjeve nga koronavirusi – pas SHBA-së, Italisë dhe Spanjës.
Por, qeveria franceze është duke u përpjekur që të përfitojë nga rënia e numrit të infeksioneve për ta shpëtuar ekonominë, megjithëse Philippe tha se populli francez do të duhet të përshtatet me një mënyrë të re të të jetuarit.
“Ne do të duhet të mësohemi të jetojmë me virusin. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me Covid-19 dhe ta mbrojmë veten nga ai”, ka thënë kryeministri francez në Kuvend, derisa ka folur për masat që do ta lehtësonin gradualisht bllokimin.
Qeveria e Philippe është duke u përballur me një veprim shumë delikat të balancimit – të fillojë të lehtësojë masat për njerëzit, me frustrimin në rritje, që janë mbyllur në shtëpitë e tyre që nga mesi i muajit mars pa rritur rrezikun për një valë të dytë të infeksioneve në Francë.
Franca do të fillojë të dalë nga bllokimi më 11 maj, përveç nëse nuk është e sigurt të veprohet kështu, ka thënë kryeministri.
Deri atëherë, Franca do të ketë kapacitet që të kryejë 700,000 teste në javë dhe shteti do të mbulojë koston e plotë të testimit, ka thënë tutje ai.