Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit është shprehur se mendon që data 18 gusht është data më e rëndësishme në procesin e dialogut në këto dy vite, sepse sipas tij me këtë datë, Borrell ka bërë një kontribut të çmuar duke e strukturuar dialogun me pikën e parë.
“Me 18 gusht, Borrell ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, mendoj që 18 gushti është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut, pika e dytë – çështjet aktuale. S’mund ta evitojmë pikën e dytë, çështjet aktuale edhe pse nganjëherë duket se janë teknike, meqë lidhen me paqen dhe sigurinë”, është shprehur kryeministri Kurti.
“Njëmend çështja e targave është teknike administrative, mirëpo në anën tjetër duhet ta pranoj që në shtatorin e vitit të kaluar e kemi filluar të mos e trajtojmë vetëm çështje teknike prej momentit kur ambasadori rus në Beograd erdhi në Jarinjë dhe Bërnjak që t’i inspektojë grumbullimin e trupave serbe dhe lart në ajër lëshoi një avion. Tash kjo përnjëmend për targa është, dhe targat janë teknike, mirëpo pasojat janë edhe më shumë politike, prandaj jam dakorduar që pika e dytë në dialog të jenë çështjet aktuale. Ndërkaqe para ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, kjo është e rëndësishme”, ka shtuar ai./FolDrejt/