Raportohet se 1.127 persona janë plagosur nga tërmeti në qytetin Khoy, në rajonin e Azerbajxhanit Perëndimor në Iran.
Zëdhënësi i Institucionit të Ndihmës Emergjente të Iranit, Mojtaba Khaledi, duke folur për televizionin shtetëror të Iranit tha se 1.127 persona janë plagosur në tërmetin e ndodhur 10 km në thellësi në rajonin e Azerbajxhanit Perëndimor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Khaledi informoi se nga 116 të plagosur që janë shtruar në spital, 111 prej tyre janë trajtuar në Khoy dhe 5 në Salmas, ndërsa 71 prej tyre u janë nënshtruar operacionit kirurgjik dhe një person ndodhet në kujdes intensiv.
Muhammad Sadiq Mutamedyan, guvernatori i Azerbajxhanit Perëndimor, duke folur për televizionin shtetëror të Iranit njoftoi se për shkak të tërmetit dhe pasgoditjeve në pjesët periferike janë shembur plotësisht 50 shtëpi dhe rreth 500 të tjera janë dëmtuar.
Televizioni shtetëror i Iranit kishte njoftuar se një tërmet me magnitudë 5,6 ballë goditi dje në orën 03:51 sipas kohës lokale qytetin Khoy të Iranit, në afërsi të kufirit me Türkiye-n.
Autoriteti Turk i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) kishte informuar se epiqendra e tërmetit me magnitudë 5,6 ballë ishte në një distancë rreth 62 km nga zona Başkale në qytetin turk Van.
Në postimet në median sociale, u theksua se tronditja është ndjerë edhe nga qytetet Van dhe Hakkari të Türkiye-s./FolDrejt/