Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka mbërritur në Mali për bisedime me udhëheqjen ushtarake të vendit.
Z. Lavrov, i cili ishte në Irak të hënën, u mirëprit pas mbërritjes nga homologu i tij Abdoulaye Diop dhe nuk bëri asnjë deklaratë për gazetarët, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
Ministri rus pritet të zhvillojë bisedime me presidentin e përkohshëm të vendit, Assimi Goita dhe ministrin e Punëve të Jashtme.
Agjencia ruse e lajmeve Tass tha se të dy palët do të diskutojnë çështjet e bashkëpunimit – duke përfshirë lidhjet ushtarake dhe dërgimin e grurit, plehrave dhe produkteve të naftës ruse në Mali.
Bisedimet do të prekin gjithashtu çështjet në lidhje me luftën në Ukrainë dhe për trajtimin e terrorizmit në rajonin e Sahelit.
Ky është udhëtimi i dytë i zotit Lavrov në Afrikë në dy javë – pas turneut në Afrikën e Jugut, Angolë, Eswatini dhe Eritrea në janar.
Ndikimi i Rusisë në Mali është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga vendosja e mercenarëve të Grupit Wagner në dhjetor 2021./FolDrejt/