Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, vizitën e tij të parë në krye të kësaj detyre e realizoi në Shqipëri, përcjell Fol Drejt.
Maqedonci, në takim me homologun shqiptar, Niko Peleshin, ka thënë se diskutuan mbi situatën aktuale gjeopolitike, bashkëpunimin e shkëlqyer tashmë të dyfishuar në fushën e edukimit e trajnimeve, planet afatmesme dhe afatgjata në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në nismat rajonale dhe integrimin euro-atlantik.
“Vizitën time të parë zyrtare si Ministër i Mbrojtjes e realizova në Republikën e Shqipërisë, shtetin shqiptar me të cilin pashkëputshëm jemi të lidhur përjetësisht.”, ka njoftuar ministri Maqedonci.
“Takimi me Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi përtej simbolikës rezultoi me një diskutim të frytshëm mbi situatën aktuale gjeopolitike, bashkëpunimin e shkëlqyer tashmë të dyfishuar në fushën e edukimit e trajnimeve të cilën po punojmë që ta thellojmë edhe më tutje, planet afatmesme dhe afatgjata në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në nismat rajonale dhe integrimin euro-atlantik.
Nga ana e tij ministri Peleshi ritheksoi se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është e përkushtuar të rrisë numrin e aktiviteteve të përbashkëta me Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me synimin e përbashkët ruajtjen e paqes dhe stavilitetit në rajon dhe më gjerë.”, është shprehur ai më tej, transmeton Fol Drejt.