OKB-ja e ka shpallur 15 marsin Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Islamofobisë me qëllimin për të ndërmarrë “veprim konkret përballë urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës në rritje kundër muslimanëve”, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Më duket se ne me të vërtetë kemi një problem, një problem të madh, në mënyrë që OKB-ja të dalë dhe të pranojë se islamofobia është një çështje mbarëbotërore dhe të flasim kundër saj”, tha Heisam Galyon, një anëtar i Shoqërisë Islamike të Hjustoni i Madh.
Në një intervistë telefonike me Anadolu, Galyon tha se e vetmja mënyrë për të adresuar islamofobinë është t’i dërgohet mesazhi botës, gjë që është pikërisht ajo që po bën OKB-ja.
“Ne duhet të flasim për këtë,” tha Galyon. “Ju nuk mund ta zgjidhni një problem nëse nuk e ngrini atë.”
Ndërsa Galyon pranoi se diskriminimi kundër muslimanëve është një problem i vjetër, ai tha se përhapja e islamofobisë doli në dritë në ShBA menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
“Ata na panë si terroristë, si Osama bin Laden”, tha Galyon. “Me të vërtetë u bëri dëm të madh muslimanëve këtu në Shtetet e Bashkuara. Njerëzit që kishin pikëpamje neutrale për Islamin, papritmas, zhvilluan pikëpamje negative për ta ashtu si pas Pearl Harbor në Luftën e Dytë Botërore, ku ShBA krijoi kampe internimi dhe diskriminoi Kkomunitetin japonez që jeton në Amerikë.”
Në shpalljen e të mërkurës si Ditën Ndërkombëtare kundër Islamofobisë vitin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se gati 2 miliardë muslimanë në mbarë botën “përballen me fanatizëm dhe paragjykim thjesht për shkak të besimit të tyre” dhe se gratë muslimane vuajnë “diskriminim të trefishtë” për shkak të gjinisë, përkatësisë etnike dhe besimit.
“Është një pjesë e pashmangshme e ringjalljes së etno-nacionalizmit, ideologjive supremaciste të bardha neo-naziste dhe dhunës që synon popullsinë e cenueshme, duke përfshirë muslimanët, hebrenjtë, disa komunitete minoritare të krishtera dhe të tjerë”, tha Guterres.
“Islamofobia i ka rrënjët në ksenofobi”
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Csaba Korosi gjithashtu vuri në dukje se “islamofobia i ka rrënjët në ksenofobi, ose frikë nga të huajt, e cila reflektohet në praktikat diskriminuese, ndalimet e udhëtimit, gjuhën e urrejtjes, ngacmimet dhe shënjestrimin e njerëzve të tjerë” dhe u kërkoi vendeve të mbështesin lirinë e fesë dhe të ndërmarrin veprime kundër urrejtjes.
“Të gjithë ne mbajmë përgjegjësi për të sfiduar islamofobinë apo çdo fenomen të ngjashëm, për të dënuar padrejtësinë dhe për të dënuar diskriminimin e bazuar në fe ose besim – ose mungesën e tyre”, tha Korosi. /FolDrejt/