Kreu i Partisë Dmeokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shfaqur qëndrimin e partisë që udhëheq ndaj zhvillimeve të bëra sot në pjesën veriore, ku u kidnapuan tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.
Krasniqi ka bërë të ditur se PDK shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.
“Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon.
Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershem të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë.”, ka thënë Krasniqi.
“Po ashtu, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës.”, ka shtuar më tej./FolDrejt/