Në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, të martën u votua për amendamentet e shumta në raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon si dhe raporti në tërësi. Gjatë debatit, disa deputetë shprehën kundërshtimin e tyre lidhur me thirrjen që pesë shtetet e bllokut ta njohin Kosovën si dhe që BE-ja të liberalizojë vizat për shtetasit e Kosovës.
Si pasojë e masave, që kanë për qëllim ndalimin e përhapjes së COVID-19, debatet në Parlamentin Evropian po zhvillohen në mënyrë të kombinuar: me pjesëmarrjen e deputetëve në sallë si dhe lidhjen përmes internetit. Edhe votimet po mbahen në këtë formë, prandaj nuk mund të dihen rezultatet menjëherë.
Në mesin e shumë amendamenteve të propozuara në raportin për Kosovën, kishte edhe kërkesa që të hiqet paragrafi, përmes së cilit ftohen pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Një kërkesë të tillë kanë bërë sidomos deputetët nga Spanja dhe shtete të tjera, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Por, kundër thirrjes për liberalizimin e vizave u propozuan disa amendamente nga disa deputetët të ekstremit të djathtë, sidomos nga Franca.
Rezolutat e Parlamentit Evropian shprehin qëndrime politike të këtij institucioni të BE-së, por nuk janë ligjërisht të obligueshme për vendet anëtare. Prandaj, edhe thirrjet e deritanishme të PE-së për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e bllokut evropian si dhe ajo për liberalizimin e vizave, nuk kanë pasur ndonjë efekt.