U.d e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka komentuar ngjarjen tragjike që ndodhi sot në QKUK, ku mbeti e vrarë gruaja shtatzënë, bashkë me foshnjën e saj, nga ish-burri.
“Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë. Plumba që shuan një jetë që sapo po zinte fill. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ku gruaja po priste të bëhet nënë!”, ka shkruar Gexha.
Tutje, ajo ka ndarë një rrëfim nga jeta personale, ku në të njëjtën ditë, para 17 vjetësh, vetë Gexha ishte shtruar në atë spital për të lindur fëmijën e saj.
“Si për ironi të fatit, si sot para 17 vitesh, isha vet e shtruar po në këtë klinikë, që të nesërmen të lindja fëmijën tim të parë, fat që kësaj gruaje ia morrën plumbat e shkrepur nga ky burrë mizor.
E tronditur, sa mezi po shkruaj, shpreh indinjatën më të thellë për këtë rast makabër”, ka shkruar Gexha.
“Ju bëjë thirrje organeve relevante që të veprojnë pa kompromis.
Familjarëve e të afërmëve ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Qëndroj pranë e solidarizohem edhe me punonjësit shëndetësor e gratë e shtruara në këtë klinikë që ky akt makabër i ka tronditur.
Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam.”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/