Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur lart figurën e shquar të veprimtarit për çështjen kombëtare, Adem Demaçin, transmeton Fol Drejt.
Sot, në pesë vjetorin e kalimit të Demaçit në amshim, presidentja Osmani ka vlerësuar se vetëmohimi i kësaj figure është dëshmi e rrugës së zorshme deri të liria dhe bërja e shtetit.
“Lufta për drejtësi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kauza për Kosovën Republikë portretizohen më së miri në jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare- Adem Demaçi.
Liria e popullit ishte më e rëndësishme se sa ajo individuale. Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur, guximit dhe vullnetit të paepur për të mbijetuar pavarësisht rrethanave. Përgjatë gati tri dekadave të burgut, ai mbajti peshën e padrejtësisë, duke kultivuar humanizmin dhe ruajtur shpresën për një të nesërme më të mirë.
Vetëmohimi i tij është dëshmi e rrugës së zorshme deri te liria dhe bërja e shtetit, ndaj e kujtojmë me respekt në këtë përvjetor e përherë!”, është shprehur presidentja Osmani për Adem Demaçin./FolDrejt/