Autoritetet në shumë vende po përballën me dilema të forta ndërsa numri i rasteve me koronavirus po rritet. Ata po përpiqen t’i japin përgjigje pikëpyetjeve nëse duhet të vazhdojnë imunizimin me vaksinën e AstraZeneca-s, që dihet se shpëton jetë, apo të pezullojnë përdorimin e saj për shkak të njoftimeve se shkakton mpiksje gjakut tek disa persona.
Kjo çështje ka krijuar një ndarje të fortë në të gjithë botën, duke i detyruar autoritetet të vlerësojnë rreziqet shëndetësore që sjell vendimi për ndalimi e vaksinës në një kohë kur shumë vende, veçanërisht në Evropë vazhdojnë përpjekjete për të kapërcyer pengesat logjistike dhe hezitimin e popullatës së tyre për t’u vaksinuar.
Evropa ka luksin të zgjedhë mes disa lloj vaksinash, por vendimi megjithatë nuk është i lehtë në një kontinent, ku rastet me korovirus po rriten sërish dhe ku fushata e vaksinimit ka ngecur vazhdimisht.
Zgjedhja mund të jetë edhe më e problematike gjetkë sepse shumë vende po mbështeten fort tek vaksina e AstraZeneca-s, e cila nuk është e kushtueshme dhe është më e lehtë për t’u ruajtur krahasuar me të tjera. Vaksina deri më tani ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismën globale për të siguruar vaksinat për vendet e varfëra, e njohur si “COVAX”.
Vështirësitë lidhur me vendimin u shfaqën qartë në Tajlandë, vendi i parë jashtë Evropës që pezulloi përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s, por më pas ndryshoi qëndrim të martën kur kryeministri i vendit mori dozën e parë të saj.
Krahas Agjencisë Evropiane të Barnave, kompania AstraZeneca dhe OBSH-ja kanë thënë se nuk ka prova se vaksina mbart rreziqe në rritje për mpiksje të gjakut. Sipas kompanisë mes më shumë se 17 milionë njerëzve të vaksinuar në të gjithë BE dhe në Britani, ka pasur vetëm 37 njoftime për mpiksje të gjakut.
Por numri i vendeve të bllokut që po vazhdojnë përdorimin e saj po bie pasi vende me peshë si Gjermania, Italia, Franca e Spanja njoftuan të hënën pezullimin e vaksinimeve.
“Në një kohë kur e dimë se si po përhapet virusi, ndalimi i vaksinës do të ishte një vendim i pakujdesshëm“, tha për transmetuesin publik VRT Ministri belg i Shëndetësisë Frank Vandenbroucke të martën herët mëngjes.
Ekspertët vërejnë se shqetësime të tilla janë të pashmangshme në fushatat e vaksinimit masiv. Ndërsa një numër i madh njerëzish vaksinohen, disa mund të sëmuren dhe jo për shkak të vaksinës.
Presidenti i Shoqatës spanjolle të Vaksinave Amós García, thotë se vendet po tregohen më të zellshme se duhet në ndalimin e përdorimit të vaksinës së AstraZeneca-s.
Mes një rrëkeje vendimesh që po hedhin dyshime mbi vaksinën e AstraZeneca-s pavarësisht garancive që japin ekspertët mbi sigurinë e saj, opinioni publik u vu sërish në provë që të besojë shkencën mbi dyshimet.
Mes problemesh të shpeshta të procesit të imunizimit, 27 vendet e BE-së treguan sërish se nuk ishin të bashkuar, duke marrë secili vendimet e veta lidhur me vaksinën e AstraZeneca-s edhe pse Komisioni Evropian, bëri thirrje të merren parasysh këshillat e EMA-s. I pyetur nëse Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do ta merrte vaksinën e AstraZeneca-s, zëdhënësi i saj, Eric Mamer tha: “sigurisht”.