Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka deklaruar se reagimi i Perëndimit për sulmin terrorist në Veri të Kosovës ka qenë i dobët deri më tani. Ai ka përmendur qëndrimin e Brukselit dhe Washingtonit ku bëjnë thirrje për dy palët që të parandalojnë dhunën dhe përshkallëzimin e mëtejshëm, duke thënë se kjo barazon performancën e shkëlqyer të Policisë së Kosovës me një kryengritje të armatosur ilegale që mund ta kishte destabilizuar gjithë Ballkanin.
Serwer thotë se në vend të një qasje të tillë, Washingtoni dhe Brukseli do të duhej të denonconin mbështetjen e Beogradit për kryengritjen e armatosur duke e cilësuar atë si një akt terrorist dhe duke vendosur sanksione kundër Vuçiqit dhe zyrtarëve të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Një qasje alternative do të denonconte mbështetjen e Beogradit për kryengritjen e armatosur, duke e etiketuar atë një akt terrorist dhe duke vendosur sanksione kundër Vuçiqit dhe zyrtarëve të tij të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. NATO do të përgatiste forcat e saj në veri të Kosovës për mbrojtje kundër një pushtimi të blinduar. Perëndimi do të lavdëronte policinë e Kosovës dhe do të kërkonte një gjykim të drejtë dhe të shpejtë për autorët në gjykatat e Kosovës.”, ka thënë Serwer.
Ai ka thënë se duhet një politikë e re e Perëndimit për Serbinë duke propozuar disa pika.
“Ata mund të kthehen shpejt me një mesazh të vetëm: epoka e qetësimit ka mbaruar. Nëse Beogradi dëshiron anëtarësimin në BE, Serbia duhet të: arrestojnë dhe dorëzojnë terroristët tek autoritetet e Kosovës. Të heqë dorë nga insistimi për qeverisje të ndarë të serbëve në Kosovë. Rreshtim me sanksionet e Ukrainës ndaj Rusisë. Përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara”, ka shtuar tutje Serwer.
Sa i përket Kosovës, Serwer shprehet se SHBA dhe BE duhet të përgatiten për ta nxitur Kosovën që të kontaktojë serbët në veri për të gjetur një alterantivë ndaj “Srpskas” dhe përveç kësaj, sipas Serwer, Kosova do të duhej të kujdesej që të mos ketë incidente kundër serbëve në të gjithë Kosovën.
“Uashingtoni dhe Brukseli duhet gjithashtu të përgatiten për të nxitur Prishtinën që të kontaktojë serbët e veriut për të gjetur alternativa ndaj Listës Srpska. Përveç kësaj, Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë që të mos ketë incidente antiserbe në të gjithë Kosovën, në mënyrë që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiqit për spastrim etnik. Prishtina duhet të hetojë menjëherë çdo incident që ndodh. Gjykatat duhet të gjykojnë menjëherë autorët”, ka thënë ndër të tjera Serwer.
“Një qasje më e fortë me Beogradin është hapi i parë i nevojshëm”, ka përfunduar Serwer.