Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se e gjithë bota po përjeton probleme ushqimore për shkak të luftës Rusi-Ukrainë dhe njoftoi se do t’i sigurojnë 2 miliardë dollarë ndihmë shtesë humanitare Afrikës për sigurinë ushqimore.
Biden mori pjesë në seancën përmbyllëse të Samitit SHBA-Afrikë në Washington ku u diskutua për sigurinë ushqimore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai theksoi se nuk mund të ketë çështje më të rëndësishme në samit sesa kjo. “Ne po përballemi me një krizë globale ushqimore dhe nuk ka vend më të prekur sesa Afrika. Rreth 120 milionë njerëz në Afrikë përballen me mungesë ushqimi dhe pasiguri. Kjo shifër u rrit në 140 milionë me luftën në Ukrainë”, tha Biden.
Sipas tij, sfidat në Afrikë janë të qarta dhe urgjente. “Unë po njoftoj një ndihmë humanitare prej 2 miliardë dollarësh për të trajtuar pasigurinë ushqimore akute në Afrikë. Kjo ndihmë do të sigurojë që fëmijët dhe familjet të mos shkojnë në shtrat të uritur”, tha presidenti amerikan.
– Samiti i liderëve SHBA-Afrikë
Administrata e Bidenit, e cila po përpiqet të ringjallë marrëdhëniet e saj me kontinentin afrikan, ku Kina, Rusia, Japonia dhe Türkiye kanë thelluar marrëdhëniet e tyre politike, ushtarake dhe tregtare në 20 vitet e fundit, organizon për herë të dytë Samitin e Liderëve SHBA-Afrikë, i cili u mbajt për herë të parë nga ish-presidenti Barack Obama në vitin 2014, pas një pauze 8-vjeçare.
Rreth 50 udhëheqës afrikanë morën pjesë në samitin, i cili filloi më 13 dhjetor, të organizuar nga Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken./FolDrejt/