Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe mbi dhjetë të tjerë janë mbuluar nga dheu kur një kamp turistik u përfshi nga një rrëshqitje dheu pranë kryeqytetit të Malajzisë, Kuala Lumpur, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.
Menjëherë pas këtij incidenti tragjik filluan operacionet masive të kërkim-shpëtimit. Rrëshqitja e dheut goditi kampin turistik në orën 3:00 të mëngjesit me orën lokale (19:00 GMT) në fermën organike në Batang Kali në shtetin qendror Selangor, rreth 50 kilometra në veri të Kuala Lumpurit, duke lënë të vdekur të paktën 16 persona dhe 17 të zhdukur, thuhet në një deklaratë zyrtare, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“16 persona janë konfirmuar të vdekur ndërsa 17 të tjerë janë ende të zhdukur”, shkroi në Twitter Ministria e Strehimit dhe Pushtetit Lokal të Malajzisë.
Autoritetet kanë ndaluar të gjitha aktivitetet rekreative në natyrë pranë skenës të ngjarjes tragjike në fermën organike. Viktimat thuhet se kanë hyrë në zonën e famshme rekreative të mërkurën.
Kryeministri Anwar Ibrahim ka urdhëruar të gjitha institucionet qeveritare të kryejnë operacione shpëtimi “të plota dhe sistematike”.
Ministri i Brendshëm i Malajzisë Saifuddin Nasution Ismail u tha gazetarëve në vend se të gjitha aktivitetet rekreative në natyrë rreth Batang Kalit janë ndaluar.
“Më vonë do ta shqyrtojmë rastin”, tha ai, duke shtuar se “Prioriteti ynë është të gjejmë viktimat e mbetura”.
Ndërsa autoritetet u angazhuan për konfirmimin e numrit të përgjithshëm të njerëzve që ndodheshin në vend, të dhënat e disponueshme nga pronarët e kampingut zbuluan se ishin 94 veta.
“Ka mundësi që numri të ndryshojë, në një familje pesë-anëtarëshe, ndoshta vetëm gruaja ka regjistruar emrin e saj në emër të të tjerëve”, shpjegoi ministri.
Disa zyrtarë thanë se “nuk ka asnjë shenjë të ndonjë rrëshqitjeje tjetër, pasi nuk ka rënë shi i madh në zonë në dy ditët e fundit”./FolDrejt/